Edi Rama
PS është një parti ku rebelët çmohen. Historia e PS e tregon këtë, por sigurisht, nga ana tjetër, PS është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe qëllimit tonë të përbashkët
Ben Blushi
“U miratua diçka në kundërshtim me çdo normë demokratike. Kemi një referendum pa një pyetje. Kemi një garë Edi Rama kundër Edi Ramës. Duke shmangur kandidatët përmes referendumit. Nëse do të bëj një fushatë kundër, kjo mbetet për t’u parë”
Ruçi:
Statuti e ka zgjedhur shumë mirë me mocion mosbesimi. Jemi në rastin kur ka një mocion mosbesimi? T’i bëjmë mocion mosbesimi dhe ta çojmë Ramën tek anëtarësia për ta hequr, nuk ka. Blushi më dëgjo. Nuk ka skaduar mandati.
Dade:
Statuti i ri thotë: Karriera e çdo anëtari të partisë bazohet në meritën individuale dhe në kontribut. Kam një pyetje për grupin e punës; detyra përfaqësuese e kryetarit të partisë jepet si detyrë apo jo? Unë nuk kam votuar fare. Po bëni një statut tjetër pa shfuqizuar të parin.
Triumfi i kryesocialistit
Vetëm 7 vota kundër referendumit e 3 kundër statutit. Roli i Ruçit në sheshim e përplasjeve
ARTEMISA HOXHA
Më 9 prill, socialistët do të shkojnë në referendum për të vendosur nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetarin e PS-së apo kryetari në detyrë, Edi Rama do të rimandatohet automatikisht edhe pa zgjedhje. Është rrëzuar kështu mundësia që Ben Blushi të kandidojë për të marrë drejtimin e partisë më të madhe në vend.
Vendimi
Pas më shumë se 10 orë debatesh në zhvillimet e mbledhjes së kongresit të djeshëm të PS-së, me shumicën e votave të delegatëve dhe me vetëm 7 vota kundër në radhët e tyre, u miratua data e propozuar nga kreu i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, që anëtarësia e majtë të shkojë në Referendum pikërisht të shtunën e 9 prillit. Ky vendim erdhi pas shumë replikash të shkëmbyera mes kreut të PS-së, Edi Rama, por edhe deputetit Ben Blushi, i cili në fjalimet e tij është kundërshtuar edhe me fishkëllima nga delegatët në sallë. Gjithë këtij debati për mungesën e zgjedhjeve i parapriu miratimi i statutit të partisë i ndryshuar, ku me tre votat kundër të Ben Blushit, Maqo Lakrorit dhe Petrit Agos ai u miratua parimisht nga delegatët, ndërsa nen për nen u la në dorë të anëtarëve të grupit të punës që janë marrë me përmirësimin e ligjit kryesor të partisë. Pas votimit të statutit ka vijuar debati Rama-Blushi. Kryeministri ka kërkuar mbajtjen e referendumit lidhur me statutin, për t’i dhënë fund, siç tha ai, “çdo alibie”. Ndërsa Blushi ka deklaruar se, “referendumi bëhet për çështje dhe jo njerëz” dhe ka shtuar se, me votimin e statutit të ri janë shkelur të gjitha normat. Në favor të Ramës ka dalë kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, i cili duke hedhur poshtë tezën e Blushit ka theksuar se, sa i takon pozitës së kryetarit të partisë ka opsione të tjera. Ndërsa Fatmir Xhafaj ka deklaruar se, statuti i ri i miratuar shfuqizon të vjetrin dhe për rrjedhojë nuk mund të bëhet një proces i bazuar, sipas tij, në një ligj të shfuqizuar. “Sot është miratuar statuti. Nëse është miratuar në parim, është gabim. Por nga sot ky statut ka hyrë në fuqi, që do të thotë se ka shfuqizuar statutin e mëparshëm dhe ne nuk mund të bëjmë një proces bazuar në një ligj të shfuqizuar. Ashtu sikundër është absolutisht e gabuar ideja e referendumit, e para sepse nuk është çështje e brendshme organizative, e dyta sepse nuk kuptoj një gjë: këtë statut e miratuam sot, ju do shkoni në referendum për ta verifikuar? O është, o nuk është statuti. Unë do të votoj kundër mbajtjes së referendumit. Përgjigjen e ka dhënë kongresi që ka votuar këtë statut”, theksoi Xhafaj.
Roli i Ruçit
Për të shpëtuar perceptimin e situatës dhe zhytjen në një debat pafund, kreu i Asamblesë, Gramoz Ruçi, ka ndikuar në mbylljen e këtij debati, madje ai nuk ka ngurruar që t’i kundërvihet si Ramës dhe Xhafajt. “Unë juristët i respektoj shumë, por ata dalin barrikada e neneve. Unë i jap Xhafajt të drejtë në një pikë. Nëse çështja do të ishte futur në rend dite, duhet të ishte diskutuar para hyrjes në fuqi të statutit. Kjo është politike. Kemi një çështje të diskutueshme”, shtoi Ruçi. Kryeministrin e kontestonte për formën se si duhej të shkohej në referendum, duke hedhur tezën e mocionit të besimit apo mosbesimit. Më pas, ai ka hedhur idenë se baza socialiste duhet të pyetet nëse duhet të ketë zgjedhje për kryetar ose jo, duke propozuar dhe datën konkrete. Vendosmëria e Ruçit bëri që çështja të mbyllet pa u zgjatur pafund.
Reagimet
Pas këtij votimi, kundërshtari i Kryeministrit Rama, Ben Blushi, e ka cilësuar “një nul” referendumin për faktin se Rama, përmes tij, ka shmangur kandidatët për kryetar. “U miratua diçka në kundërshtim me çdo normë demokratike. Kemi një referendum pa një pyetje. Kemi një garë Edi Rama kundër Edi Ramës. Duke shmangur kandidatët përmes referendumit, Edi Rama e konsideroi veten një çështje, e ktheu veten në pikëpyetje”, ka deklaruar Blushi. Sipas tij, “këtu kemi të bëjmë me sanksionimin e një praktike 3-vjeçare të funksionimit të PS, uzurpimit dhe funksionimit të saj”. “Është një mënyrë amatore, por e qëllimshme, për ta kthyer partinë në një trupë të vjetër amorfe. Referendumet nuk mund të zëvendësojnë zgjedhjet, sepse ndryshe nuk do të kishte zgjedhje në Shqipëri, në Gjermani apo Europë”, ka thënë Blushi, për të shtuar se nuk do ta pranojë referendumin. Por Rama, para medias, është shfaqur triumfator në mbyllje të Kongresit, duke theksuar se anëtarësia e PS-së do të vendosë për mandatin e tij. Ai ka mohuar zërat se veprimet e tij synojnë shtypjen e zërave rebelë në parti.
“PS është një parti ku rebelët çmohen. Historia e PS e tregon këtë, por sigurisht, nga ana tjetër, PS është një parti që ka vepruar menjëherë kur rebelimi ka shkuar përtej parimeve dhe vlerave të përbashkëta dhe qëllimit tonë të përbashkët. Shpresoj që ky të mos jetë rasti. Përpjekjet për të rrëzuar qeverinë e PS janë kulmi”, ka shtuar Rama.
Tahiri, Bushati dhe Nikolla kontestojnë referendumin
Tre ministrat, kundër idesë së Ramës
Tre nga ministrat e kabinetit qeveritar kanë dalë kundër referendumit, i cili u vendos që të mbahej më 9 prill, pasi besojnë se zgjedhja e kryetarit të partisë sipas parimit “një anëtar, një votë”, është më se e mjaftueshme. “Unë jam kundër referendumit e quaj ekzagjerim të Edi Ramës, kongresit, si të doni. Është ekzagjerim demokratik i panevojshëm. Nuk ka pse të instrumentalizohet. Çështja duhej të merrte përgjigje në Kongres. Ekzagjerim i panevojshëm. Do të marr pjesë në referendum dhe respektoj vendimin, por është ekzagjerim. Në Kongres votova pro, pasi ishte si një rrugëdalje”, ishte qëndrimi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërkohë që kundër këtij vendimi ishte edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pasi sipas tij, gjithçka që po ndodh është një spektakël artificial dhe një humbje kohe. “Nuk e mbështes si ide dhe nuk e kam mbështetur as në Asamble. Jam partizan për zgjedhjen e kryetarit mbi parimin ‘një anëtar, një votë’. Kur partia fiton zgjedhjet, kryetari mandatohet automatikisht kryeministër. Është debat artificial dhe nuk mendoj se ka në qendër të vëmendjes rritjen e demokracisë në PS dhe gjetjen e një balance në shtresën e mesme. Nuk ia vlente më të debatoje. Referendumi për këtë çështje është humbje kohe për ne”, tha Bushati. Edhe ministrja Lindita Nikolla u reshtua me ministrat skeptikë, duke deklaruar se PS duhej të ishte fokusuar në çështje më madhore. “Ishte e vetmja zgjidhje për të zgjidhur ngërçin në PS. Isha me masën e njerëzve që thoshin që janë të tjera arsye për t’u fokusuar fort. Megjithatë respektojmë vendimet e forumit”, tha ajo.
Kryebashkiaku
Dako: Kjo bëhet për t’i bërë qejfin Blushit
Anëtari i Asamblesë së PS-së dhe njëherazi kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në mbrojtje të statutit të miratuar, por në kundërshtim me qëndrimin e Ben Blushit, akuzoi këtë të fundit se po përdor debatin për t’u bërë kryeministër. “Neni 92 i statutit të ri thotë se statuti i 2011-s, është shfuqizuar. Pak më parë, me 3 vota kundër, e miratuam statutin dhe për mua statuti është i miratuar. Dhe pastaj, fjala e kryetarit që do të bëjmë referendum, më duket se do t’i bëjë qejfin Blushit. Statuti nuk përmban referendumin. Nëse duan të largojnë kryetarin, grupi parlamentar dhe anëtarësia, mund ta shkarkojë. S’mund ta diskutojmë statutin se do Ben Blushi të bëhet Kryeministër. Kemi gjithë këtë kohë që merremi me statutin, se statuti të bën kryeministër, s’të bën statuti, por vota e popullit”, tha Dako.