Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Tahiri: Dënim maksimal për armëmbajtjen pa leje

$
0
0

Tahiri fletMinistri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar ditën e sotme se do të përgatiten amendamente të reja për të dënuar maksimalisht armëmbajtjen pa leje. Tahiri deklaroi se po shihen disa modele dhe një prej varianteve është që armëmbajtja pa leje në trup të konsiderohet si përgatitje për sulm me armë, që dënohet më shumë.

“Unë besoj se pavarësisht respektit të detyrueshëm që kemi për vendimet e Gjykatës Kushtetuese ka pasur efekt jo të vogël, dekurajues, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e neneve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me armëmbajtjen pa leje. Ajo që ne do bëjmë me urgjencë është propozimi për kolegun tim, ministrin e Drejtësisë dhe për Kuvendin, propozimi i amendamenteve për të dënuar maksimalisht armëmbajtjen pa leje, – tha Tahiri. – Do të fokusohemi që të mbledhim praktikat më të mira botërore, duke bërë çmos që armëmbajtja pa leje të jetë një vepër shumë e dënueshme. Ne duhet të bëjmë çmos që të dekurajojmë të gjithë ata që e çojnë në mend se mund të zgjidhin konflikte duke pasur një armë në dorë. Po shikojmë modele. Ka modele shumë të mira. Një ndër to parashikon ndarjen e armëmbajtjes nga armëmbajtje në trup në armëmbajtje në mjedise, qoftë kjo makinë, qoftë kjo shtëpi. Po shikojmë disa modele që janë mjaft pozitive”.

Sipas Tahirit, “një variant është që armëmbajtja pa leje në trup mos të konsiderohet si armëmbajtje pa leje, por përgatitje për sulm me armë që dënohet shumë më shumë. Ndërkohë armëmbajtja pa leje në makinë apo në shtëpi të konsiderohet nga pikëpamja e Kodit Penal vetëm si armëmbajtje pa leje dhe të dënohet po shumë, por jo aq sa armëmbajtja pa leje në trup, që sipas nesh duhet të konsiderohet si përgatitje për sulm me armë. Ai që e mban armën pa leje në trup do të thotë që ka një plan kriminal që shkon përtej armëmbajtjes. Ne jemi duke konsultuar praktikat më të mira, duke konsultuar modelet më të mira. Jemi shumë që armëmbajtja duhet të jetë një vepër penale shumë e rëndë”

Gjithashtu ministri Tahiri theksoi se i ka nisur një letër presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së për çështjen e armëve. Ai shtoi se gjyqtarët bëjnë çudira me vendimet ndaj atyre që kapen me armë pa leje. I lirojnë nga salla edhe pse janë njerëz që paraqesin rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore.

“Ne jemi shumë të vendosur që të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme në kohë për të larguar shoqërinë nga zgjidhja e konflikteve me armë. Sot ka plot raste. Unë para dy ditësh i kam adresuar një letër Presidentit të Republikës, ministrit të Drejtësisë dhe KLD-së. Ka raste kur gjyqtarët bëjnë çudira me vendimet ndaj atyre që kapen me armë pa leje. I lirojnë nga salla edhe pse janë njerëz që paraqesin rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore.  Kjo është e papranueshme për ne. Shqiptarët duhet ta dinë që policia arreston sot njerëz që kapen me armë në brez dhe dalin të lirë nga sallat e gjyqeve. Kjo është tërësisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Cilido gjyqtar që e bën këtë, ka bërë një krim të dyfishtë. E para ka liruar kriminelin dhe e dyta ka kërcënuar shoqërinë dhe nuk e tolerojmë dot këtë”, deklaroi ministri Tahiri.

11 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>