
Gjykata e Durrësit ka dënuar me burg për jetë 3 personat e akuzuar për vrasjen e 2 kunatave Gjenovefa dhe Elsa Vava në Durrës në shtator të vitit 2014.
Janë dënuar me burgim të përjetshëm shtetasit: Indrit Shaqja, Velson Elmazi dhe Artur Kacmoli
Seanca gjyqësore zgjati 2 orë, ndërsa avokatët mbrojtës kanë hedhur poshtë akuzat duke kërkuar dënim më të lehtë. Mësohet se ata do të vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.

Sipas akuzës, kanë qenë Elmazi dhe Shaqja ata që kanë ekzekutuar gratë dhe akuzohen për vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim.
Ndërsa 28-vjeçari Kacanolli i ka ndihmuar dy autorët. Por pas hetimeve dhe marrjes në pyetje nga policia, del se Kacanolli është nipi i njërës prej viktimave, Gjinovefës, duke rezultuar si organizatori i ngjarjes, ndonëse nuk ka marrë pjesë në ekzekutimin e tyre.
Policia ka zbardhur mekanizmin e vrasjes së dy të moshuarave. Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi që kishin si qëllim grabitjen e parave dhe floririt, kanë hyrë në banesën e tyre pasi thyen dritaren e katit të parë të saj.
Me armë në dorë ata kanë kërcënuar gratë për të treguar se ku ndodheshin shumat e parave që ata dyshonin se ishin fshehur në shtëpi. Pasi gjetën vetëm 2 milionë lekë të vjetra ata u lidhën duart dhe këmbët dhe u vendosën qese plastike në kokë. Si pasojë, për shkak të asfiksisë, të moshuarat kanë humbur jetën. Mëngjesin e 2 shtatorit, ato u gjetën pa jetë nga nj familjar i tyre në banesë.
4 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)