Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë, është rikthyer pas dy javësh sërish me debate dhe tension për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, ku deputeti demokrat Astrit Patozi ka hedhur akuza të rënda ndaj shitblerjes së votave dhe përpjekjes pë të deformuar rezultatin e zgjedhjeve në Bashkinë e Vorës nga ana e LSI-së.
Patozi i konsideroi zgjedhjet lokale të këqija dhe të pista. Ai akuzoi kreun e LSI-së Ilir Meta se kërkon të rrëmbejë mandatin e PD-së në tavolinë në mënyrë të paligjshme.
“Ne humbëm zgjedhjet, por qeveria nuk i fitoi ato, – tha Patozi. – Këto ishin zgjedhje të këqija, por nuk justifikojnë humbjen tonë. Forcat speciale të LSI-së kishin rrethuar Vorën disa javë para zgjedhjeve dhe tentuan t’i rrëmbenin ato në mënyrë të paligjshme. Arroganca e mazhorancës më detyroi të flas këtu. I them Ilir Metës dhe Edi Ramës: ju bëftë pushka top për Vorën dhe pasi ta keni grabitur të gjithë Vorën, merrini edhe ato bashki që kanë mbetur, mbase kështu i zbutet edhe inati Ilir Metës që është shndërruar një tragjedi kombëtare”.
“Këto ishin zgjedhje të pista, – vazhdoi Patozi. – Shqiptarët votuan të trembur dhe të blerë. Shitblerja e votës ishte gati publike. Rama është më shumë i shqetësuar se ka humbur Iliri, se sa për fitoren e demokratëve në bastionet e së majtës”.
Po ashtu, Patozi ka dalë edhe kundër qëndrimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, i cili i konsideroi këto zgjedhje si një hap i madh i bërë përpara nga opozita.
“Të ngresh gishtat për fitore, është njësoj sikur të bësh dasmë me orkestër kur të kanë vdekur të gjithë njerëzit e shtëpisë”, – tha Patozi.
Sajmir Tahiri: Opozita gënjen dhe shpif
Ministri i Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se zgjedhjet lokale ishin të manipuluara.
Tahiri tha se zgjedhjet, ishin më të lirat dhe më të ndershmet të organizuara ndonjëherë në vend që pas ardhjes së demokracisë.
“Akuzat e opozitës për rezultatin e zgjedhjeve janë të vonuara, pasi kemi arritur standardet më të larta demokratike. Përfaqësuesit e opozitës janë të gatshëm të gënjejnë vençe, siç thotë populli, shpifin pa respektuar asnjë standard të së vërtetës dhe kërkojnë të bëjnë për budalla popullin, – tha Tahiri. – Partnerët ndërkombëtarë i quajtën zgjedhjet më të qeta, më të mira dhe më demokratike. Po gënjehet për hir së politikës së ditës, zgjedhjet nuk patën as stres, as tmerr, as ankth dhe as luftë, sepse ishin më të mirat, më të ndershmet, që kur janë organizuar zgjedhjet pluraliste në vend”.
2 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Patozi: Zgjedhje të pista, merrini edhe bashkitë e mbetura. Tahiri: Opozita shpif u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.