Kryesocialisti – Fitorja e 21 qershorit nuk duhet të na bëjë euforikë e të flemë mbi dafina. Për të gjitha ato zona e bastione ku u shënuan rezultate të dobëta, do të nxirren përgjegjësitë e plota
Grupi i PS
“Asambleja në korrik, deri në vitin 2017 duhen 150 mijë anëtarësime në PS”
Statuti – Statuti i partisë përcakton se zgjedhjet në parti për kryetarin e saj bëhen një herë në katër vjet. Rama është rizgjedhur në 27 shtator të 2009 në krye të PS-së. Mosmbledhja e strukturave është kundërshtuar nga ana e deputetit Blushi
Pa mandat – Që nga shtatori i 2013-s, kreu i PS-së është pa mandat. Është neni 30 i statutit të PS që përcakton mandatin katërvjeçar të kryetarit. Për këtë Rama ka shpjeguar se u konfirmua si kryetar më 23 qershor të 2013-s, ku e majta fitoi zgjedhjet
Asambleja – Struktura më e rëndësishme e PS-së, Asambleja e Përgjithshme nuk është mbledhur që prej më se dy vitesh. Vetëm pas zgjedhjeve parlamentare, të 2013-s, kjo strukturë u mblodh, thjesht vetëm formalisht, pasi ky takim nuk zgjati as 20 minuta
ARTEMISA HOXHA
Fitorja e 21 qershorit nuk duhet ta bëjë PS-në euforike. Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga ana e kryesocialisti Edi Rama në mbledhjen me deputetët e partisë së tij. Për më shumë se një orë, Kryeministri Rama ka folur mbi rezultatet e votimeve të së dielës së shkuar, duke paralajmëruar mbi të gjitha dhe analizë të thellë për humbjen e atyre bashkive të cilësuara si bastione të së majtës. Njëherësh Rama ka paralajmëruar dhe mbledhjen e strukturave të PS-së, si Asambleja apo dhe Kongresin për rifreskimin e organeve drejtuese. Përkatësisht Asambleja është njoftuar që të mblidhet në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit shtator, për shkak të sezonit të pushimeve, nga ku dhe do të nisë në këtë mënyrë ristrukturimi i partisë në çdo njësi vendore. Më pas drejtuesit e partisë do të marrin miratimin nga delegatët socialistë në mbledhjen e Kongresit në dhjetor, ky si organi më i lartë vendimmarrës i partisë. Por mbetet ende pa një përgjigje nëse Asambleja do të zbatojë statutin e partisë edhe në lidhje me votimin për kryetarin e Partisë Socialiste, ku Ramës i ka përfunduar mandati që në shtator të 2009-s. Në lidhje me mungesën e këtyre zgjedhjeve brenda së majtës, nuk kanë munguar as kritikat nga deputeti socialist, Ben Blushi, i cili mungoi në mbledhjen e djeshme, ku në fokus ishin pikërisht zgjedhjet në PS. Zgjedhjet brenda së majtës, pritet që për vitin tjetër të nxjerrin një parti “të re”, e cila do të luftojë fort për të arritur një rezultat pozitiv në zgjedhjet e ardhshme në vend, ato të vitit 2017. Gjithsesi, nuk kanë munguar as porositë për deputetët, ku mësohet se Rama u është drejtuar deputetëve që të mos ngurrojnë me prenotime për pushimet verore, por të jenë më aktivë në komisionet parlamentare dhe pjesëmarrës në seancat e fundit plenare që kanë mbetur për këtë sesion parlamentar.
Zgjedhjet
Është shprehur i kënaqur, nga fitorja e 45 bashkive nga 61 që janë në gjithë vendin nga koalicioni i majtë, por dhe i pakënaqur për humbjen e disa bastioneve të majta në zgjedhjet e 21 qershorit, pa përmendur bashki që u humbën. Për këtë Rama nuk ka ngurruar që të lëshojë kritika mbi krerët e partisë në rrethe, të cilët mbajnë dhe poste drejtuese të mandatuara për mbarëvajtjet e fushatës në bashki të ndryshme, që kanë dalë humbëse në 21 qershor. Gjithsesi, shkaqet e humbjes në ato njësi që kanë pasur drejtues të majtë do të bëhen në një moment tjetër, ku dhe do të diskutohet analiza e përgjithshme e zgjedhjeve, përfshirë këtu dhe faktorët që çuan në rezultate pozitive në ato bashki që kanë qenë të djathta. “Fitorja e 21 qershorit nuk duhet të na bëjë euforikë e të flemë mbi dafina. Për të gjitha ato zona e bastione ku u shënuan rezultate të dobëta, do të nxirren përgjegjësitë e plota”, u është drejtuar kreu deputetëve të pranishëm. Por ajo që lajmëroi kreu i PS-së ishte pikërisht sfida e partisë për zgjedhjet e ardhshme, ajo e shtimit të anëtarëve të saj deri në 150 mijë. “Ne nuk do kënaqemi vetëm me këtë fitore, por do synojmë zgjerimin e mëtejshëm të PS-së. Do synojnë që familja jonë të shkojë në 150 mijë anëtarë realë”, u është drejtuar Rama socialistëve. Gjithsesi, meqenëse zgjedhjet e 2017-s PS pritet që të jetë një parti e ristrukturuar, kjo sipas Ramës duhet të përkthehet edhe në më shumë mbështetës të saj. Në fund të fjalimit të tij, kreu i qeverisë ka njoftuar deputetët edhe për një darkë, e cila është me sa duket përmbyllëse e këtij sesioni parlamentar, çka përkon dhe me një fitore të thellë të së majtës.
Ky shkrim Rama: Fitorja të mos na bëjë euforikë, analizë për humbjen e bastioneve të majta u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.