
Një 40-vjeçar nga Lushnja është arrestuar me akuzën e terrorizmit në kuadër të operacionit antiterrorizëm mes Shqipërisë dhe Italisë i nisur në orët e parë të mëngjesit të sotëm në Itali, dhe i koduar ‘Martesa’.
Baki Çoku, 40 vjeç është vënë në pranga për llogari të drejtësisë italiane. Arrestimi i tij është bërë pasi gjykata në Milano kishte firmosur urdhër-arrestin duke e akuzuar 40 vjeçarin për krijim të një bande kriminale me qëllime terroriste.
Çoku është daja i 27-vjeçarit shqiptar Aldo Kobuzi, i cili së bashku me bashkëshorten e tij italiane, Maria Giulia Sergio, ndodhen që prej shtatorit të shkuar në Siri ku i janë bashkuar njësive të organizatës terroriste ISIS.
Kanë qenë pikërisht përgjimet e komunikimeve që çifti ka pasur me të afërmit, që çuan sot në arrestimin ndër të tjera edhe të prindërve dhe motrës së italianes, si dhe të nënës së shqiptarit Kobuzi. Sipas policisë italiane, edhe ata po përgatiteshin për t’ju bashkuar çiftit në Siri.
“Më datën 01.07.2015, në orët e para të mëngjesit Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Italiane në kuadër të Operacionit Ndërkombëtar Antiterrorizëm bëri të mundur kapjen në Lushnjë të personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Baki Çoku, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhrin e arrestit No.12285/14 R.G.N.R-56938/14 R.G.G.I.P, datë 29.06.2015, për kryerjen e veprës penale të “Krijimit të organizatës kriminale me qëllim kryerjen e akteve terroriste” në Itali.
Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi në kuadër të operacionit ndërkombëtar antiterrorizëm”, thuhet ne njoftimin e policise shqiptare.
Operacion antiterrorizëm Itali-Shqipëri, në pranga 10 persona, 5 janë shqiptarë
Autoritetet italianë që në orët e para të mëngjesit kanë nisur një operacion kundër terrorizimit ndërkombëtar. Operacioni i koduar ‘Martesë’ është shtrirë në disa qytete të Italisë si Milano dhe Bergamo dhe njëkohësisht në një qytet të Shqipërisë që nuk bëhet me dije.
Operacioni synon të godasë një grup që rekrutonin luftëtarë për ISIS. 10 persona janë vënë në pranga deri më tani, nga të cilët 4 italianë, 1 kanadez, dhe 5 shqiptarë.
1 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Operacion antiterrorizëm Itali-Shqipëri, 11 të arrestuar, pranga 40-vjeçarit në Lushnje u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.