Sërish përplasje dhe polemika në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Edhe këtë herë, protagonist ka qenë deputeti Eduard Selami, i cili i ka kërkuar llogari kreut të PD-së Lulzim Basha për disa probleme.
Sipas burimeve, mësohet se Selami fillimisht ka kritikuar Bashën për vonesën në mbledhje, gjë që sipas tij ishte e përsëritur.
Por kryeopozitari i është përgjigjur se ka pritur që të mblidhen të gjithë deputetët para se të niste diskutimin.
Pas disa minutash, Selami ka debatuar për qëndrimet e kryetarit të partisë në lidhje me reformën në drejtësi. Sipas Selamit, Basha nuk mund të shprehë qëndrime në emër të partisë pa u këshilluar më parë me deputetët. Kritikat e Selamit në drejtim të kreut të opozitës kanë të ashpra edhe sa i takon reformës territoriale. Mësohet se gjatë debatit kanë tentuar të përfshihen deputetë të tjerë për të shuar “sherrin”.
Mes të tjerash, Selami e ka akuzuar Bashën se nuk është në gjendje për të zhvilluar protesta, por sipas burimeve, ka hasur në kundërshtinë e Berishës.
10 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)