Kryeministri i vendit, Edi Rama i pranishëm në aktivitetin e organizuar për prezantimin e programit për zhvillimin e tregut të punës deklaroi se thelbi i problematikës së vendit tonë sot me punën dhe punësimin është fakti se puna ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë, zanatçinj që t’u përgjigjen këtyre nevojave.
Sipas Ramës, mungesa e reformimit të arsimit profesional për 25 vjet me radhë, në mënyrë që të kishte lidhur arsimin me ndërmarrjen ka sjellë këtë problem të madh me punësimin në vendin tonë.
“Thelbi i problematikës së vendit sot me punën dhe punësimin është se punë ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë zanatçinj, që t’u përgjigjen këtyre nevojave, sepse nevojës për elektricistë, tornitorë etj nuk mund t’u përgjigjen persona të papunë që nuk kanë haber nga zanati apo kanë diplomë për jurist. Më ka ardhur zor nga një mendimtar që e kishte shqyer gojën pse qeveria kërkon zanate kur shqiptarët kanë diploma. Kjo është pasojë e një farse të pashoqe që u është bërë prindërve në radhë të parë që investojnë dhe fëmijëve në radhë të dytë. Nëse politika nuk do të rendte qorrazi pas votave duke ndërmarrë një rrugë të eliminimit të të gjithë arsimit profesional nuk do ta kishte bërë këtë krim, por të kundërtën dhe 25 vjet më parë do kishte reformuar këtë arsim dhe duke lidhur arsimin me ndërmarrjen, sot jo vetëm që ne do kishin shumë më pak këtë problem por do të ishin shtuar edhe më tepër investimet. Ne kemi juristë, më shumë se çdo vend tjetër për mera katrorë, ndaj ka ecur kaq mirë drejtësia në vendin tonë”, tha Rama.
10 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)