Një alarm për bombë në një qendër tregtare në zonën e njohur si ‘Komuna e Parisit’ ka shkaktuar panik te qytetarët.
Ka qenë një telefonatë e mbërritur në polici nga banorët e zonës rreth orës 11:15 minuta, të cilët deklaronin se kishin parë një pako të dyshimtë në garazhin e qendrës tregtare.
Forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë evakuuar të gjithë njerëzit që ndodheshin brenda saj, ndërkohë forcat xheniere kanë nisur verifikimet e rastit dhe pas disa minutash, kanë bërë një shpërthim të telekomanduar.
Lënda plasëse ishte vendosur poshtë një mjeti të parkuar, i cili ndodhej në parkingun nëntokësor të godinës.
Nga të dhënat e para të policisë rezulton se makina ishte në pronësi të biznesmenit të ndërtimit dhe karburanteve në Fier, Nuredin Suli. Në vitin 2012, këtij të fundit i është vrarë një vëlla Naim Suli.
Mësohet se eksplozivi ka rënë në momentin që makina ka filluar të lëvizë dhe drejtuesi i saj është larguar pa e vënë re pakon e dyshimtë, ndërsa ishin klientët e tjerë të qendrës ata që kanë lajmëruar menjëherë policinë me konstatimin e saj.
Për disa orë, forcat policore mbajtën të mbyllur qendrën dhe evakuuan të gjithë personat që ndodheshin brenda saj. Forcat xheniere u thirrën menjëherë në ndihmë pasi policia zbuloi se bomba e telekomanduar mund të shpërthente.
Masa e parë e fortë që u ndërmor ishte bllokimi i valëve të celularëve, të cilët mund të bënin ndezjen automatike të mekanizmit shpërthyes. Forcat antiekspkloziv bënë shpërthimin e bombës, në mënyrë të kontrolluar duke mos vënë askënd në rrezik.
Automjeti i bizsnemenit u ndalua disa qindra metra larg nga qendra tregtare dhe policia kontrolloi poshtë tij për gjurmë gishtërinjsh. Biznesmi u mor në pyetje në lidhje me ngjarjen, ku bëri të ditur problemet e një hasmërie të gjatë prej dhjetë vitesh në qytetin e Fierit.
HISTORIA E KONFLIKTIT
Në 2012-ën, biznesmenit iu vra i vëllai

Biznesmenit që iu vu tritol poshtë makinës ditën e sotme, i është vrarë një vëlla në vitin 2012, ndërkohë që policia ka dhënë detaje, duke deklaruar se personi i cili i shpëtoi atentatit sot në qendrën tregtare te Komuna e Parisit, ka pasur precedentë të mëparshëm penalë.
Ngjarja ndodhi në 12 nëntor të vitit 2012, kur një konflikt për zhurmën e servisit çoi në ekzekutimin e biznesmenit Naim Suli.
Autorë të vrasjes u shpallën Gëzim Sulo 49 vjeç si dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Endri Sulo, respektivisht 22 dhe 20 vjeç.
Gjykata e Fierit shpalli fajtor Gëzim Sulon dhe dy djemtë e tij dhe i ka dënuar dy të parët me nga 25 vjet heqje lire dhe të fundit me 22 vjet. Para se gjykata të shpallte vendimin, i pandehuri Gëzim Sulo është shprehur se e kishte kryer ai vrasjen dhe se djemtë nuk ishin të përzier në këtë krim.
“Këtë vrasje e kam kryer unë. Lërini djemtë të lirë se janë të pafajshëm”, është shprehur ai në sallën e gjyqit, ndërkohë që kryesuesi i trupës gjykuese, gjyqtari Taulant Banushi, ka nisur të shpallë vendimin.
Më 3 maj të vitit 2013, automjeti pronë e vëllait të Gëzim Sulos shpërthen në ecje. Shtetasi Sulejman Sulo dhe bashkëshortja e tij, Alie Sulo shpëtuan. Mjeti i tyre mori flakë në motor dhe drejtuesi humbi kontrollin, por më pas ndaloi. Tregtarët ambulantë i ndihmuan të dalin nga mjeti pak sekonda para se automjeti të shpërthente në flakë. Në rrugë, eksplozivi kishte lënë një shenjë gjatë shpërthimit, ndërsa çifti pësoi disa fraktura pa rrezik për jetën.
Më 25 tetor të vitit 2013, një automjet tip Alfa Romeo ndalon para një pike karburanti në aksin rrugor Fier-Patos, pronë e familjes Suli dhe një breshëri plumbash lëshohet në drejtim të pronarit të kësaj pike, Namik Suli. Ai shpëton pa u prekur nga asnjë prej plumbave, ndërsa u plagos lehtë një klient në lokal.
Automjeti u largua dhe u gjet më vonë i braktisur nga policia, por autorët e atentatit u zhdukën pa lënë gjurmë, autorësia nuk është zbardhur, por ngjarja u lidh me vrasjen e një viti më parë të vëllait të biznesmenit nga shtetasi Gëzim Sulo dhe dy djemtë e tij.
9 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)