Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me kreun e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audry Glover. Në përfundim të këtij takimi, në një deklaratë për mediat, Basha u shpreh se në takimi produktiv me Glover ndau shqetësimet lidhur me shkatërrimin e standardit të zgjedhjeve të 21 qershorit nga dyshja Rama-Meta gjë që sipas tij tashmë është dokumentuar nga vëzhguesit në terren. Sipas kryedemokratit, shqetësimet e PD dhe ato të ODIHR kanë pika të përbashkëta.
“Shit blerja masive e votave, kandidimi në zgjedhje i personave me rekorde kriminale, presioni nga banda kriminale mbi votuesit, falsifikimi i kartave të identitetit, presioni mbi administratën publike, politizimi i institucioneve zgjedhore janë shqetësimet tona dhe të ODIHR”, tha Basha.
Basha premtoi se PD dhe ai personalisht do të jenë në mbrojtje të të drejtës themelore të qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre të lirë me votë, larg nga ndikimet apo presionet politike.
Basha u shpreh më tej se PD është gati të nisë një betejë të re, çka sipas tij nënkupton një rishikim total të sistemit për të pamundësuar këtë maskaradë me zgjedhjet e 21 qershorit dhe një zgjim të madh në mbrojtje të votës së lirë.
30 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Basha: Shqetësime të njëjta me ODIHR për shkatërrimin e standardit të zgjedhjeve u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.