Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka ironizuar kryeministrit Rama në lidhje me padinë që zyra e këtij të fundit ka bërë ndaj saj për shpifje. Vokshi tha se mezi po e pret ditën që të shkojë në sallën e gjyqit, së bashku me Ramën.
“Unë e dija që ti i përndjek gratë por nuk e dija që do vinte një ditë që do iknim bashkë dorë përdore në gjyq. Mezi e pres që të përballemi publikisht për të bërë transparencë për koncesionet,” tha Vokshi. Deputetja e opozitës duket se nuk heq dorë nga akuzat për ministrinë e Shëndetësisë. Ajo ka sulmuar Ilir Beqajn, duke thënë se koncesioni i Chech up, i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18-7 milionë dollarë.
“Pse vet Kryeministri këto ditët e fundit po mbron me shpatë në dorë koncesionet? Pse pra investohet ai personalisht, po aq sa po vë bast edhe mandatin e tij për të mbrojtur Check up, të cilin të gjithë e dinë se si ai, ia dha mikeshës së tij që s’kishte as licencë dhe as eksperiencë. Ia dha në kundërshtim me ligjet e procedurat. Kompania që ka marrë koncesion e Check up merret me tregtimin e duhanit dhe alkoolit dhe ka si qëllim primar jo kontrollin shëndetësor të popullsisë , por promovimin e aktivitetit të saj tregtar.
Nuk ka rrezik më të madh kur interesat publike përdoren për përfitime private. Ky është kurthi që po përdor qeveria për të rrënuar ekonominë e vendit. Partneriteti me korrupsionin është busulla e kësaj qeverie e frymëzuar nga Rama. Kryeministri i vendit më të varfër në Europë po ia kalon qeverinë, donatorëve që e ulën atë në atë karrige,” u shpreh ajo ndërsa shtoi se në filozofinë e rilindëseve, i gjithë shtetit shqiptar dhe shqiptarët duhet të kalojnë me koncesion, madje edhe qeveria ,” ngriti pyetjen Vokshi.
28 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)