I ftuar në Kolegjin e Evropës në Bryzh tw Belgjikës, kryeministri Rama foli mbi kuptimin e Bashkimit Evropian dhe procesin e zgjerimit në pikëpamjen shqiptare dhe rajonale. Procesi i zgjerimit, për kryeministrin Rama, ka qenë një nga mjetet më të suksesshme transformuese të BE-së, ku 22 nga 28 shtetet anëtare u bashkuan përmes raundeve të ndryshme të zgjerimit.
“BE është fuqia transformuese e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në vendet e rajonit tonë, edhe pse ne nuk jemi ende pjesë e Bashkimit. Standardet e kriteret e BE-së janë katalizatori kryesor i reformave, të cilat udhëhiqen natyrisht, edhe nga vendosmëria jonë për t’iu bashkuar familjes evropiane. Pa mekanizmit të integrimit në BE, do të ishte absolutisht e pamundur të mbaheshin të gjitha këto vende në rrugën ku ata janë duke u mbajtur dhe për të nxitur reformat për modernizimin.”
Në kontekstin e reformave integruese, Kryeministri veçoi reformën në drejtësi. “Tani jemi në fazën e parë të finalizimit të reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias është i pranuar nga të gjithë si një këshilltar mbi palët, ndaj jam besimplotë që do të kalojmë pengesat.”
Sot, në BE haset fenomeni i “lodhjes nga zgjerimi”. Fenomen që, në nënvizimin e Kryeministrit, mbart edhe rrezikun: “Kjo “lodhje nga zgjerimi” vë në rrezik fuqinë transformuese të BE-së mbi “evropianizimin” e vendeve të rajonit. “Lodhja nga zgjerimit”, gjithashtu, i jep hapësirë politikanëve nacionalistë dhe islamizmit radikal në Ballkanin Perëndimor, që të përdorë neglizhencën e BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor për axhendën e tyre.”
I pyetur sa ndikon atmosfera rreth myslimanëve sot në Evropë në procesin e integrimit, Kryeministri theksoi se të tilla qëndrime lidhen më shumë me mosdijen dhe mungesën e njohurive mbi besimin fetar.
“Duhet të kuptojmë se rritja e partive anti-evropiane bazohet shumë në këtë luftë dhe në injorancën e njerëzve që nuk dinë asgjë rreth islamit, kulturës, historisë së këtij besimi, ashtu si besimeve të tjera. Në Shqipëri, ne punojmë së bashku me disa partnerë dhe miq, për të ndërtuar një paketë të laicitetit dhe kulturës së besimeve dhe ta fusim këtë në shkollë, për t’i dhënë fëmijëve dhe të rinjve, mjetet për të kuptuar dhe për të pasur opinionin e tyre”. Kryeministri u ndal edhe në atë që e quan paradoks, mosdhënien ende të së drejtës për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Kosovë.
“Qytetarët në Kosovë, sot nuk mund të lëvizin të lirë, ndërsa ironikisht, në kohën kur ishin një komunitet i margjinalizuar në Jugosllavi, mund të lëviznin pa probleme. Ata janë shteti i vetëm në Evropë që kanë ende nevojë për viza. Ky është një paradoks i tmerrshëm për ta. Kjo i bën të ndihen në kurth në shtetin e tyre të pavarur dhe kjo ngjan si një tradhti nga ana e Evropës, në këndvështrimin e njerëzve të thjeshtë.”
23 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)