Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë dalë mbrëmjen e sotme në një konferencë shtypi pas takimeve për reformën në drejtësi. Një nga ekspertët, Tomas Markert tha se Komisioni i Venecias po përmbledh zhvillimet e deritanishme të procesit dhe se kjo është një reformë e domosdoshme dhe urgjente për Shqipërinë e shqiptarët.
“Do të theksoja se sipas mendimit tonë kjo reformë është edhe e nevojshme edhe urgjente për t’u ndërmarrë. Më lejoni të them që ne jemi mbështetës të reformës, si dhe të procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe pse ky proces nuk është normal apo i zakontë në disa vende evropiane. Ndërkohë që praktikohet një procedurë e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të përmbahen në ligj garancitë për një proces të rregullt gjyqësor. Kjo nuk është një reformë e lehët për t’u realizuar, duhet të garantojnë paprekshmërinë e sistemit, garantimin e drejtësisë, gjykim të drejtë, ndëshkim të korrupsionit. Nuk është e thjeshtë që këto të gjitha të realizohen së bashku, por është me rëndësi të ndiqen hapat e nevojshme”, u shpreh Markert.
Sipas ekspertit të Venecias, propozimet për votimin me 2/3 dhe 3/5, janë në përputhje me rekomandimet e BE, por sipas tij ka edhe mënyra të tjera që mund të plotësojnë shumicën e nevojshme për votimin.
“Edhe raporti i ndërmjetëm që ne kemi vënë në dispozicion është voluminoz, jo për faktin se kishte shumë probleme, por sepse tërësia e çështjeve të trajtuara ishin të larmishme dhe të rëndësishme. Në opinionin tonë kryesor, vlerësojmë se reforma është në drejtimin duhur, dhe pas punës së mëtejshme ajo do të jetë gati për t’u miratuar nga forcat politike. Sipas mendimit tonë, miratimi i reformës është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nuk duhet parë si një detyrim që rrjedh si nevojë e integrimit evropian të Shqipërisë. Dua të përgëzoj ekspertët shqiptarë që kanë punuar për hartimin e draftit, dhe dua të them se ne kemi një raport shumë të mirë bashkëpunimi me ta.
Nuk është puna e Komisionit të Venecias të tregojë zgjidhjet që duhet të zbatohen në kuadër të amendamenteve të Kushtetutës, por mund të themi se ato që janë hartuar nga ekspertët dhe janë në rrugën e duhur. E njëjta qasje është e vërtetë edhe për çështjen më të diskutueshme, për shumicën që duhet të përdoret për çështjen e votimit për drejtuesit e lartë. Ekspertët kanë propozuar shumicën me të 3/5, ndërsa nga opozita është kërkuar me 2/3. Të dyja këto zgjedhje janë në përputhje me rekomandimet e BE dhe nuk mund të thotë ‘Venecia’ se kush do jetë e duhura.
Por çështja e shumicës nuk është e vetmja e rëndësishme sa i përket procesit. Procedura e emërimit të kandidatëve është po aq e rëndësishme sa procedura e votimit të tyre. Në kuadër të procedurës së përzgjedhjes duhet të sigurohemi se kandidatët plotësojnë të gjithë kriteret që kërkohen, e më pas të votohen. Ka mënyra të tjera që mund të përdoren për të siguruar përbërjen e duhur të këshillit të lartë gjyqësor, apo këshillit të Prokurorisë. Po ashtu në momentin kur zgjidhet shumica e cilësuar, duhet të sigurohet edhe një mekanizëm që do të zhbllokojë sistemin nëse ka probleme. Sipas mendimit tonë ekzistojnë disa opsione për të gjetur zgjidhje të kësaj situate, dhe shpresojmë që forcat politike në Shqipëri të mund të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje”, tha Markert.
22 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)