Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Prokurorët, apel politikës: Mos na përgjithësoni si të korruptuar

$
0
0

Unioni i Prokurorëve. 220 prokurorë zgjedhin edhe 6 anëtarë bordi. Vendosin 500 lekë kuotizacion. Çdo prokuror duhet të japë mendime për reformën

Sokol Çobo

prokuroretProkurorët i kërkojnë politikës, por edhe ndërkombëtarëve, që të mos i përgjithësojnë si të korruptuar. Ata kanë ripërsëritur kërkesat se jo çdo prokuror ka marrë ryshfet, ndërsa mbështesin reformën në drejtësi. Ditën e djeshme u mblodh Unioni i Prokurorëve, ku u votua për 6 anëtarët e tjerë të bordit, ndërsa u vendos se çdo anëtar duhet të paguajë 500 lekë kuotizacion mujor. “Unioni kërkon që etiketimet negative për trupën e prokurorëve të ndalen për të mos cenuar punën e përditshme të tyre”, tha ndër të tjera kreu i Unionit të Prokurorëve, Ndini Tavani.

Reforma në drejtësi
Në fjalën e tij, kreu i Unionit, Ndini Tavani, i cili është prokuror në njësinë Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, shprehu këndvështrim të njëjtë me rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias. “Unioni, duke përkrahur reformën në drejtësi dhe duke qenë i bindur për nevojën e realizimit të saj, nuk mund të mos shprehë shqetësimin për pjesë të veçanta të kësaj ndërmarrjeje dhe nevojën për t’u bërë pjesë në hartimin dhe draftimin e këtij projekti madhor”, deklaroi Tavani. Ky i fundit tha se “Unioni kërkon me forcë që etiketimet negative përgjithësuese për trupën e prokurorëve të ndalin për të mos cenuar, ashti siç shprehet edhe Komisioni i Venecias, punën e përditshme, për moskrijimin e tensioneve të mëdha gjatë punës sonë dhe për të mor rritur mosbesimin në publik ndaj institucionit të Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë”. Prokuroria tha se Unioni u mblodh për të diskutuar mbi propozimet që priten të dorëzohen brenda pak ditëve në lidhje me reformën në drejtësi. Mësohet se çdo anëtari të Unionit, që deri më tani numëron 220 anëtarë, i është kërkuar që të japë mendime për reformën në drejtësi. “U është kërkuar prokurorëve të dërgojnë mendime me e-mail në lidhje me reformën që më pas të përpunohen dhe t’i paraqiten komisionit të posaçëm”, tha një anëtar i bordit të Unionit.

Unioni i Prokurorëve
Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë është regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 4 dhjetor 2015, ndërkohë që deri tani ka 220 anëtarë nga radhët e prokurorëve. Kryetar i këtij grupimi është Ndini Tavani, prokuror i cili ka pasur disa çështje të ndjeshme për opinionin publik, si grabitja e Bankës së Shqipërisë vitin e kaluar, vrasja e bankierit Artan Santo ose hetimet për çështjen e 21 janarit 2011. Ndërkohë, anëtar bordi i këtij unioni do të jetë edhe Sokol Malaj, ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës, që hetoi çështjen e 21 janarit. Një tjetër themeluese e këtij unioni është edhe Deniona Katro, drejtuese e njësisë antikorrupsion në Tiranë. Më tej, në bord janë edhe prokurorja Antoneta Sevdari, e cila ka në “dorë” hetimet ndaj biznesmenit Kastriot Ismailaj për aferën CEZ-DIA ose edhe çështjen “Becchetti” për hidrocentralin e Kalivaçit. Themelues është edhe prokurori Arenc Çela, që drejton akuzën e Beratit.
Ndërkohë, ditën e djeshme, u votua që bordi të përbëhet nga 11 prokurorë. Prokurorja më e votuar ka qenë Suela Salavaçi, e cila mori 99 vota. Më pas anëtar bordi u bë Madrid Kullolli, Kreshnik Ajazi, Arben Qosja, Besa Nikhasani dhe Vladimir Mara.
Në ditët në vazhdim, Unioni i Prokurorëve do të kërkojë përfshirjen në diskutimet për reformën në drejtësi. Krijimi i këtij Unioni gjatë këtyre javëve, si dhe diskutimi i reformës në drejtësi, duket se është edhe një mesazh për qeverinë, e cila ka hartuar një draft paraprak, por trajton ndryshe prokurorët dhe gjyqtarët.

Anëtarët e bordit

U zgjodhën dje
Suela Salavaçi
Madrid kullolli
Kreshnik Ajazi
Arben Qosja
Besa Nikhasani
Vladimir Mara

Themeluesit
Ndini Tavani
Sokol Malaj
Antoneta Sevdari
Deniona Katro
Arens Çela

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>