Protesta e paralajmëruar e opozitës në Kosovë ka përfunduar në dhunë mes aktivistëve dhe policisë.
Dy policë janë përfshirë nga flaka e një koktej molotovi të hedhur nga protestuesit, kurse 8 të tjerë janë lënduar nga gazi lotsjellës dhe mjetet e forta të hedhura nga protestuesit.
Policia është vënë në aksion vetëm pasi protestuesit i kanë vënë flakën një këndi të objektit të Qeverisë së Kosovës.
Protesta e opozitës, sulmohet Kryeministria me bomba molotov
Ka nisur në Kosovë protesta e paralajmëruar e opozitës, e cila prej kohësh kundërshton ashpër dy marrëveshjet e qeverisë, të Asosaconit dhe Demarkacionit. Drejtuesit e AAK, Vetëvendosjes dhe Nisma-s, nisën protestën nga ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare.
Një ditë më parë kreu i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të protestohet për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin dhe llogaridhënien, ndaj atyre që kanë shkelur Kushtetutën e tij, me pasojë dorëheqjen nga postet kyçe që mbajnë.
Nga ana tjetër qeveria u bën thirrje qytetarëve që të protestojnë pa përdorur dhunë por në mënyrë demokratike. Marshi protestues i nisur nga Biblioteka Kombëtare i është drejtuar godinës së Kryeministrisë së Kosovës. Protesta është udhëhequr nga krerët opozitarë, Visar Ymeri i Vetëvendosjes dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.
Protesta fillimisht ka qenë paqësore, por më pas turma ka dalë jashtë kontrollit. Persona të maskuar kanë filluar të hedhin fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të Policisë së Kosovës dhe brenda oborrit të Kryeminisrisë.
Policia është tërhequr dhe nuk ka bërë rezistencë, transmeton Koha.net. Më tej janë hedhur edhe bomba molotovi. Raportimet nga tereni bëjnë të ditur se ata që po hedhin gurë dhe bomba moltovi janë me maska. Organizatorët, madje edhe deputeti Rexhep Selimi, vazhdimisht kanë tentuar t’i ndalin këta persona, që po sulmojnë Policinë e Kosovës.
9 janar 2016 (gazeta-Shqip.com)