‘Arrest më burg’ është masa e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj Xhuliano Malos, 17 vjeç, i akuzuar për përfshirjen e tij në vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosjes së dy të tjerëve, mëngjesin e 24 qershorit 2015. I mituri është arrestuar të mërkurën e kaluar duke lëvizur me një automjet nw drejtim të fshatit Lazarat.
Gjatë këqyrjes së mjetit të ‘Benz’, me ngjyrë të bardhë janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë automatik, një pushkë model 63, një pushkë model 56, tre gëzhoja të fishekëve model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një thes “lino” e mbushur me fishek të kalibrave të ndryshëm, një kasetë fishekësh me disa krehra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse marrëse, tre aparate celulare si dhe tre qese farmaceutike të dyshuara si lëndë narkotike kokainë, ndërkohë që vazhdon kryerja e veprimeve hetimore, për dokumentimin e ngjarjes dhe autorësisë së veprave penale.
Nga hetimet e deritanishme, rezulton ky shtetas ka qenë pjesë e grupit të armatosur, grup i cili dyshohet se kishin rreth 6 muaj që përgatitej për të sulmuar dhe luftuar forcat e policisë se shtetit, me qëllim rikthimin e gjendjes së mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu, janë krijuar dyshime të arsyeshme se organizatorë të këtij grupi janë shtetasit Ar. Aliko dhe Al. Aliko. Gjatë seancës Xhuljano Malo nuk ka folur asgjë, përveç se ka konfirmuar gjeneralitet e tij. Avokati i kërkoi trupit gjykues një masë më të lehtë për shkak të moshës së tij të mitur.
27 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Vrasja e efektivit të RENEA-s, arrest me burg 17-vjeçarit Xhuliano Malo u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.