Kreu i LSI-së flet për 21 qershorin. “Ndryshimet në qeveri? “I takon Ramës, por duhet lexuar çdo votë”
Për Ramën – Ne kemi raporte mjaft konstruktive dhe bashkëpunuese me Kryeministrin Rama, të cilin e falënderoj për përkrahjen që u ka dhënë kandidatëve tanë, në mënyrë të veçantë atyre të propozuar nga LSI-ja
Për humbjet – Ne do të bëjmë një analizë të plotë, të përgjegjshme, të detajuar për çdo qendër votimi për të lexuar arsyet e mosrealizimit të suksesit dhe njëkohësisht për të reflektuar në të ardhmen
Qeveria – Për ne ishte një votë vendore. Patjetër, duhet lexuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ju e dini shumë mirë që LSI-ja rritet, sepse di të lexojë. Kjo është arsyeja
Pavarësisht pakënaqësive të LSI-së për humbjen e dy bashkive Pogradecit dhe Lezhës, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, ka zbutur tonet, duke theksuar se marrëdhëniet me kryesocialistin Rama janë konstruktive. “Ne kemi raporte mjaft konstruktive dhe bashkëpunuese me Kryeministrin Rama, të cilin e falënderoj për përkrahjen që u ka dhënë kandidatëve tanë, në mënyrë të veçantë atyre të propozuar nga LSI-ja”, tha Meta. Prerja në besë për votat brenda koalicionit për ato qytete ku ishin kandidatë të LSI-së, Meta e lidh me faktorë të tjerë. “Ne do të bëjmë një analizë të plotë për çdo qendër votimi. Edhe pse kam thënë se do të punonim për të fituar 61 bashki, shpresoj që ju të mos keni besuar se do t’i fitonim të gjitha. Kjo nuk do të ishte e shëndetshme për demokracinë në vend. Për ato bashki ku kandidatët e përbashkët të Aleancës për Shqipërinë Europiane, pavarësisht se janë propozuar nga LSI-ja apo Partia Socialiste apo parti të tjera nuk kanë rezultuar fitues, jam i bindur që ne do të bëjmë një analizë të plotë, të përgjegjshme, të detajuar për çdo qendër votimi për të lexuar arsyet e mosrealizimit të suksesit dhe njëkohësisht për të reflektuar në të ardhmen, ku natyrisht arsyet janë nga më të ndryshmet në bashkitë e ndryshme të vendit. Por sigurisht që edhe pse unë kam thënë se do të punojmë për të fituar 61 bashkitë në rast se populli shqiptar na beson, shpresoj që ju të mos të keni besuar vërtet se do të fitonin 61 bashkitë, sepse nuk do të ishte dhe aq e shëndetshme për demokracinë në vend”, deklaroi Meta në konferencën për shtyp. Por a do të bjerë përgjegjësi politike te të deleguarit e LSI-së në rrethe, për këtë kreu i kësaj partie shprehet se do të ketë një analizë të hollësishme të votave. “Do të isha mjaft i nxituar të bëja një analizë pa lexuar rezultatet për çdo bashki dhe për çdo qendër votimi pa bërë krahasimet dhe ende janë mjaft kuti që po numërohen në disa bashki, kështu që nuk dua të nxitohem, por ajo që duhet të nënvizoj është që LSI-ja në të gjitha qytetet kryesore të vendit dhe në qarqet kryesore të vendit ka treguar një rritje mjaft të shëndetshme. Pothuajse në çdo qendër votimi dhe natyrisht që kjo është votë mjaft solide politike kur bëhet fjala për qytetet e mëdha dhe kur bëhet fjala për qarqet e mëdha. Në rast se do të shkojmë pastaj më tej në bashki më të vogla kuptohet që aty vota është gjithnjë e më pak politike. Mund të përmend shumë bashki ku LSI-ja ka dalë forcë e parë, por nuk mendoj se është një tregues shumë domethënës po të shohim shpërndarjen e votave për shkak të specifikës që kanë zgjedhjet vendore. Ndaj edhe përmenda bashkitë kryesore të vendit dhe qarqet më të mëdha të vendit, ku vota është gjithnjë e më politike”, theksoi Meta. Ndërsa ndan mendimin se votat e LSI-së në Tiranë ka shkuar në drejtim e duhur, duke nënkuptuar se elektorati i kësaj partie ka votuar për kandidatin Erion Veliaj, i cili ka mbi 36 mijë vota më pak se koalicioni. Ndërsa ka lënë të hapur çështjen e ankimit të rezultatit të Vorës.
Ndryshimet në qeveri
Rezultati i zgjedhjeve të fundit, të 21 qershorit, i kanë dhënë LSI-së 257 mijë vota në shkallë vendi, e ku vetëm në Tiranë janë rreth 54 mijë vota (74 mijë në rang qarku), e nisur nga kjo në “oborret’ e politikës po përflitej për ndryshime në qeveri. Nëse do të ketë ndryshime në qeveri, kreu i Kuvendit shprehet se është një çështje që i takon aleatit të tij, Ramës. “Çështja e qeverisë i takon Kryeministrit dhe ajo që është e rëndësishme pavarësisht se kjo ishte një votë vendore, sipas gjykimit tim, duhet të lexojmë të gjitha mesazhet që vijnë nga kjo votë. E thashë edhe një herë, për ne ishte një votë vendore. Patjetër, duhet të lexuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ju e dini shumë mirë që LSI rritet, sepse di të lexojë. Kjo është arsyeja. Do të lexojë vlerësimet dhe di të lexojë kritikat. Fuqia e LSI-së është normaliteti dhe aftësia për të reflektuar”, theksi Meta.
Ky shkrim Meta: Analizë të thellë për QV ku humbën bashkitë, me Ramën raporte mjaft konstruktive u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.