Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, “dush të ftohtë” kancelarëve të gjykatave edhe për zhvillimin e shorteve: Pas përfundimit të gjyqit në Shkallën e Parë, dihet se kujt gjyqtar do t’i bjerë çështja në Apel!
Deklarata
Inspektimi – “Përse qytetarët duhet të presin në radhë? Unë do të dal vetë fizikisht në gjykata dhe nëse e konstatoj këtë gjendje në cilëndo gjykatë qoftë, do të kem punë me kancelarin”
Shkarkimet – “Nëse do të konstatoj se brenda sistemit që ekziston sot, dikujt nuk i është dhënë mundësia për të marrë dijeni mbi datën e gjyqit, kancelari largohet direkt”
Trukimet – “Më është krijuar përshtypja që për çështje të caktuara, në varësi të faktit se kush gjykatës gjykon në Shkallë të Parë, dihet mirë edhe se kush e gjykon në Apel”
Sokol Çobo
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka kërcënuar kancelarët e të gjitha gjykatave në Shqipëri, se shumë qytetarë po humbasin procesin gjyqësor vetëm se nuk njoftohen në kohë. Në takimin me kancelarët dje në ministri, Manjani tha se do të dalë vetë në terren dhe do të kontrollojë cilindo gjykatë dhe, nëse ka probleme administrative, atëherë kancelarët do të jenë të parët që do e pësojnë. Ai tha se ka një trend të frikshëm për sa u përket shorteve, si në Shkallën e Parë ashtu edhe në gjykatat e Apelit. “Pas përfundimit të gjyqit në Shkallën e Parë, dihet se kujt gjyqtar do t’i bjerë çështja në Apel”, tha Manjani, ndërsa pohoi se kërkon që procesi i shorteve të kryhet sipas ligjit apo rregulloreve.
Orari i shërbimeve
Takimi i djeshëm erdhi për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rritjes së eksesit në gjykata. Manjani tha se do të reagojë pas shqetësimeve të publikut në lidhje me cilësinë e shërbimit që ofrohet në sportelet e gjykatave, nga administrata gjyqësore. Ministri i Drejtësisë evidentoi si shqetësues faktin se shërbimi që ofrohet në sekretaritë gjyqësore është me orar të pamjaftueshëm. “Sekretaritë e gjykatave duhet të kuptojnë njëherë e mirë se nuk është më i rëndë bishti se sqepari. Janë aty për të shërbyer, për të pritur njerëzit, për të pritur padi dhe për të administruar dokumentacion me orare më të zgjatura nga sa deri më sot. Prandaj, merrni masa që të zgjasni oraret e shërbimit dhe të mos kemi radhë në sportel për pritje dokumentacioni apo qoftë edhe zbardhje vendimesh. Nuk i premtojmë dot askujt se si do të jetë vendimi i gjykatës, ky është një raport që publiku e ka me gjykatësin”, tha ai, teksa shtoi se në gjykatë, një pjesë pret që të fillojë gjyqi, por një pjesë tjetër e konsiderueshme pret që të vijë sekretari, që të hapet sporteli i shërbimit. “Përse duhet të presin? Kjo është e papranueshme! Unë do të dal vetë fizikisht në gjykata dhe nëse e konstatoj këtë gjendje në cilëndo gjykatë qoftë, do të kem punë me kancelarin”, u shpreh Manjani.
Lajmëroni palët
Më tej, Manjani u ndal edhe në mënyrën e funksionimit të lajmërimit të palëve në proces. “Ka një shqetësim në rritje në lidhje me datat e gjyqeve në gjykata. Shumë qytetarë humbin proceset, për shkak se nuk njoftohen në mënyrë të sigurt apo nëse kanë marrë dijeni për datën e gjyqit. Unë e kuptoj që Apeli i Tiranës ka probleme, sepse ka ngarkesë të jashtëzakonshme. Apeli në tërësi është një funksion gjyqësor delikat, i vështirë dhe i ngarkuar. Por ju lutem shumë merrni masa që njoftimet të jenë të rregullta. Nëse do të konstatoj se brenda sistemit që ekziston sot, dikujt nuk i është dhënë mundësia për të marrë dijeni mbi datën e gjyqit, kancelari largohet direkt”, pohoi Manjani, ndërsa tha se nuk po flet për drejtësinë e vendimit, por për njoftimin e vendimit.
Shorte të trukuara
Ai u tërhoqi vëmendjen kancelarëve se asnjë çështje nuk mund të anashkalojë procedurën e shortit. “Shorti nuk është një shpikje shqiptare, por është një instrument ligjor që ndihmon në paanësinë e gjykimit. Në kaq pak kohë sa kam këtu, më është krijuar përshtypja që për çështje të caktuara, në varësi të faktit se kush gjykatës gjykon në Shkallë të Parë, dihet mirë edhe se kush e gjykon në Apel. Për fat të keq më është provuar kjo përshtypje. Çfarë shorti është ky që e paska parazgjedhë gjykatësin?! E pamundur të jetë e besueshme. Unë nuk e besoj këtë dhe jo më të pres që ta besojnë të tjerët se çfarë shërbimi japim. E kuptoj se shërbimi ka vështirësi dhe se personeli është i keqpaguar, po kjo nuk është arsye që në emër të keqpagesës të kërkosh pagesë ekstra në rrugë të jashtëligjshme”, tha ministri.
Ky shkrim “Qytetarët humbin gjyqin se nuk njoftohen” u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.