Eurodeputetët diskutojnë të hënën për zgjedhjet. Brok: Raporti i ODIHR nëse vërtetohet, ka manipulime
Opozita pritet të mbajë një tjetër qëndrim për zgjedhjet, ku kreu i PD-së, Lulzim Basha, nga Brukseli ka theksuar se zgjedhjet e 21 qershorit u prishën nga mazhoranca. Takimin mes Partive Popullore Europiane, kreu i PD-së, Lulzim Basha, e shfrytëzoi për t’i informuar ata në lidhje me procesin zgjedhor të mbajtur para një jave në vendin tonë, për të cilin ka shprehur shqetësimin e dhunimit të standardeve. Ai bëri një panoramë të plotë të zgjedhjeve, duke u bazuar në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. “Në bisedimet e mia, tema dominuese ishin zgjedhjet në Shqipëri. Bashkëbiseduesit, krerët e qeverive dhe partive popullore të BE-së, kanë ndarë shqetësimin e thellë për dhunimin e standardeve zgjedhore, siç u konstatua dhe nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it dhe i përfaqësuesve të Këshillit të Europës dhe ambasadave të huaja në Tiranë”, tha Basha. Duke listuar disa nga shqetësimet e opozitës me raste konkrete ku ata pretendojnë se janë cenuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Basha deklaroi se ‘rezultati i prishur’ i tyre nuk do të njihet zyrtarisht nga selia blu. “Raste të mirëdokumentuara nga opozita, nga PD-ja, të bëra të njohura dhe institucioneve ndërkombëtare, ndonëse jo gjithmonë medias, për shkak se nuk donim të intimidonim zgjedhësit tanë, pra pavarësisht këtyre rrethanave, pavarësisht këtij presioni të jashtëzakonshëm, opozita shqiptare, PD-ja ia ka dalë me rezultatin formal, që sigurisht është shumë më i ulët se çdo të ishte rezultati real pa këto presione, pa këtë makineri presioni shitblerjeje të votës, angazhimit të krimit. Opozita ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë, siç tregojnë dhe shifrat e publikuara nga KQZ-ja në votimet për kandidatët”, deklaroi kreu i PD-së. Ai nuk kurseu nga Brukseli akuzat ndaj dy krerëve të mazhorancës, Rama dhe Meta. “Nuk ka asnjë mundësi që ne të njohim abuzimin e jashtëzakonshëm të bërë në këto zgjedhje përmes përdorimit të kontingjentit kriminal, përdorimit të parave, kapjes së institucioneve, intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës publike. Do të ishte tradhti e madhe për qytetarët shqiptarë, për demokracinë shqiptare që ne të mbyllnim sytë përpara këtij realiteti. Ndaj beteja jonë do të jetë pikërisht për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe politike ata që guxuan të shkelin mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë dhe të shkelmojnë standardet demokratike. Sigurisht, dyshja Rama – Meta është arkitektja e shkatërrimit të standardeve demokratike dhe Partia Demokratike bashkë me opozitën, bashkë me qytetarët e lirë shqiptarë do të jetë në një betejë pa kthim për ta vënë këtë dyshe përpara përgjegjësisë që i takon. Jam i bindur që në këtë betejë kemi mbështetjen e plotë të institucioneve ndërkombëtare”, tha Basha, duke shtuar se “PD-ja është sjellë si një parti që respekton shtetin ligjor, që respekton kornizën institucionale të vendit. Ajo ka kryer detyrat e saj para ligjit dhe vazhdon t’i kryejë”.
Parlamenti Europian
Zgjedhjet e 21 qershorit në Shqipëri pritet të jenë objekt i diskutimit mes eurodeputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme të PE-së. Ky diskutim pritet të realizohet këtë të hënë. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Elmar Brok, duke u bazuar në raportin e OSBE/ODIHR-it, ku janë evidentuar disa raste të blerjes së votave apo dhe presione nga ana e partive, theksoi se nëse rezulton i vërtetë, zgjedhjet janë të falsifikuara. “Mendoj se ky raport është befasues. Sikur edhe gjysma e këtij raporti të jetë e vërtetë, atëherë duhet të themi që këto zgjedhje janë të falsifikuara. Unë do ta vë këtë raport në rendin e ditës së të hënës së Komisionit të Punëve të Jashtme”, tha ai. Brok ka theksuar se këtë shqetësim do ta ngrejë në rendin e ditës javën e ardhshme në Komisionin e Punëve të Jashtme të PE-së. “Po, do ta përfshij në rendin e ditës për të informuar anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme për falsifikimin e madh të zgjedhjeve. Jam shumë i shqetësuar për këtë dhe pavarësisht se çfarë ndodhi, zoti Rama humbi 20% të votave të përgjithshme. Kjo është drejtësi”, ka thënë Brok.
Ky shkrim Basha në PPE: Nuk do të pranojmë deformimin e votës u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.