


Numëruesi Bylyshi e vlerësoi një votë të pavlefshme, Kajolli dhe mbështetësit e tij e sulmuan me karrige
Siguria – Për të parandaluar incidentet e mundshme, policia mori masa sigurie më të rrepta gjatë numërimit të votave për anëtarë të këshillit të Bashkisë Fier, nga masat e marra gjatë procesit të numërimit për kandidatët për kryetarë të kësaj njësie vendore. Nuk është lejuar asnjë person që të hyjë pa pasur autorizim nga KZAZ-ja nr. 57, por pavarësisht këtij fakti, gjatë mbrëmjes së martë, çdo subjekt politik në këtë proces numërimi ka pasur me dhjetëra vëzhgues e mbështetës të pranishëm, kur nuk kanë munguar as incidentet. Por, pavarësisht se porta e rrethimit të hekurt qëndronte e mbyllur, punonjësit e mirarmatosur të policisë nuk kanë arritur të ndalojnë autorët e dyshuar të sulmit ndaj numëruesit.
KZAZ nr. 57 – Në KZAZ-në nr. 57 numërohen votat e ish-komunave që tashmë do të jenë pjesë e Bashkisë së re të Fierit. Nga 219 qendra votimi, deri pasditen e djeshme ishte arritur të numëroheshin 205 kuti. Rezultatet e votave të këtyre kutive kanë nxjerrë forcë të parë politike PS-në me 21958 vota ose 35.72%, për të vijuar me LSI-në me 12428 ose 20.22%. Në vendin e tretë, PD-në me 11161 ose 18.16%. Ndërkohë PR-ja ka arritur të marrë 2230 vota ose 3.63%, ndërsa PLL-ja 1340 ose 2.18%.
Dhunohet barbarisht duke u qëlluar në kokë me karrige, dërrasa e sende të hekurta një numërues i Partisë Socialiste në KZAZ-në nr. 57 në qytetin e Fierit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 01:30, në ambientet e palestrës së shkollës së mesme “Janar Kilica” në Fier, ku është instaluar KZAZ-ja nr. 57, teksa po numëroheshin votat për anëtarë të këshillit të ardhshëm të Bashkisë Fier. Teksa numëruesi i PS-së, Roland Bylyshi, ka qenë duke kryer detyrën e tij, një prej votave e ka vlerësuar si të pavlefshme, por në këtë moment ka hasur në kundërshtimin e drejtuesve të degës së Partisë së Lëvizjes së Legalitetit për Fierin, Fatmir Kajolli, dhe mbështetësve të tij. Pavarësisht se pak metra larg vendit të ngjarjes janë ndodhur forca të policisë, deputetë dhe drejtues institucionesh, askush nuk ka arritur të ndërhyjë për të ndaluar sulmin e nisur ndaj numëruesit, veç një vëzhguesi, i cili ka arritur të largojë autorët nga i dëmtuari. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur asnjë reagim nga subjektet politike lidhur me ngjarjen e ndodhur për shkak të detyrës në ambientet e KZAZ-së nr. 57 në Fier, ku mbeti i plagosur rëndë 34-vjeçari Bylyshi. Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim ish-këshilltarin e Bashkisë Fier gjatë mandatit të kaluar, Fatmir Kajollin dhe dy djemtë e tij, Florjan e Alban Kajolli, ku ky i fundit garon nën siglën e PLL-së, si kandidat për anëtar këshilli për Bashkinë e Fierit.
Policia
Pas publikimit të ngjarjes së rëndë në media mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:30 policia ka njoftuar detaje për agresorët e dyshuar, si dhe veprat penale që rëndojnë mbi ta. “Nga specialistët për krimet në Komisariatin e Policisë Fier, filloi procedimi penal dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit: Fatmir Kajolli, 50 vjeç, banues në lagjen Mbrostar Ferko, Alban Kajolli, 22 vjeç, dhe Florim Kajolli, 23 vjeç, edhe këta banues në të njëjtën lagje pasi më datën 24.06.2015, rreth orës 01:35, në KZAZ nr. 57, në shkollën e mesme ‘Janaq Kilica’, në lagjen ‘Kastriot’, Fier, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta, për shkak të detyrës numëruesin e subjektit politik PS, shtetasin Roland Bylyshi, 34 vjeç, banues në fshatin Levan, Fier, i cili ka marrë dëmtime të lehta. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale ‘shkatërrim i pronës’, ‘kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik’ dhe ‘kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje e kryer në bashkëpunim’ parashikuar në nenin 150, 236, 329/3, i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Fierit.
Ngjarja
Nga burime pranë vendit të ngjarjes është mësuar se ka qenë ora 01:30, kur një prej numëruesve në KZAZ-në nr. 57 të Fierit ka vlerësuar si të pavlefshme një votë. Por, ky vlerësim i numëruesit ka nxehur mbështetësit e PLL-së në Fier, ish-këshilltarin e Bashkisë Fier për Partinë Republikane, Fatmir Kajolli, dhe mbështetësit e tij, të cilët kanë pretenduar se vota ishte në favor të tyre dhe e vlefshme. Në kohën kur numëruesi i PS-së, Roland Bylyshi, u ka treguar fletën e votimit që edhe ata të siguroheshin se ishte e pavlefshme, atë e kanë sulmuar rreth 15 persona, të cilët e kanë qëlluar në kokë me mbajtëset e hekurta të ekraneve të KQZ-së, me karrige e dërrasa, thonë burimet. Ata shtojnë se ky sulm ndaj 34-vjeçarit Bylyshi ka vazhduar për rreth pesë minuta dhe ka qenë vetëm ndërhyrja e një vëzhguesi të një force tjetër politike që ka bërë të mundur largimin e autorëve. I dëmtuari ka marrë plagë të rënda në kokë dhe kanë qenë disa prej të pranishmëve që kanë bërë të mundur shoqërimin e tij për në spital. Ndërkohë, në momentin kur numëruesi i PS-së po dhunohej, në ambientet e palestrës ku është instaluar sistemi i numërimit të votave nuk është futur asnjë prej dhjetëra punonjësve të policisë që ndodheshin në oborrin e shkollës, vetëm pak metra larg. Madje, ata nuk kanë arritur dot as të ndalojnë autorët e ngjarjes, të cilët janë larguar të qetë, edhe pse portat e hekurta kanë qenë gjatë gjithë kohës të mbyllura, kanë theksuar burimet nga vendngjarja. Pas rreth 15 minutash pasi autorët e sulmit ndaj 34-vjeçarit janë larguar, në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të tjera policore, të cilat kanë nisur hetimin për identifikimin e agresorëve. Ndërkohë, për shkak të shkatërrimit të sistemit të numërimit, rreth orës 02:00 është vendosur pezullimi i procesit të numërimit në këtë KZAZ, që është bërë i mundur të nisë vetëm mesditën e djeshme. Sipas burimeve të sipërcituara, gjatë datës 23, në këtë KZAZ ka pasur edhe incidente të tjera, të cilat fatmirësisht nuk kanë tejkaluar në përleshje fizike. Në një prej këtyre incidenteve mësohet të jetë përfshirë sërish 50-vjeçari Fatmir Kajolli dhe mbështetësit e tij. Por, me ndërhyrjen e deputetëve të të gjitha kaheve politike, është bërë e mundur që disa prej këtyre incidenteve të neutralizohen. Sipas burimeve, dëmtimet që ka marrë i riu kanë qenë të rënda, pasi ai u qëllua nga rreth 15 persona me mbajtëse të hekurta e karrige në kokë. Ndërkohë, mjekët janë shprehur se 34-vjeçari Bylyshi ka pasur plagë të rënda në kokë, por nuk ka pasur rrezik për jetën. Re. Rre.
Ky shkrim Fier, dhunohet barbarisht numëruesi i PS-së, policia shpall në kërkim Fatmir Kajollin dhe djemtë e tij u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.