Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishin sot në Spitalin e Traumës për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të dy efektivëve të policisë, të cilët u plagosën sot nga një sulm i armatosur në Lazarat.
I pranishëm në spital është edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Kryeministri Rama tha se sot është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit dhe për të gjithë punonjësit. Ai ka shprehur ngushëllimet për familjen efektivit të vrarë. Ndërkohë që ka kritikuar qëndrimin e Partisë Demokratike.
“Është një ditë zie për të gjithë Policinë e Shtetit, për të gjithë punonjësit dhe familjen e Policisë së Shtetit, por besoj që çdo shqiptar, çdo familje shqiptare që vlerëson ndershmërinë, kurajën, shërbimin e Policisë së Shtetit, sot ka zi.
Ndërkohë që duke i shprehur ngushëllimet më vëllazërore familjes së tij që nuk arrinte dot që t’i mbijetonte dot kësaj llahtarie, dhe duke shprehur edhe sigurinë e mjekëve që dy të tjerët janë plotësisht jashtë rrezikut për jetën, dua që të nënvizoj se duhet të ndjehen vërtet keq ata që për faqen e tyre të zezë edhe në këtë moment që policia është në fushën e betejës me një grup vrasësish, flasin me dy kuptime dhe nëpërkëmbin policinë. Madje edhe duke e fajësuar edhe në mënyrë jo indirekte. Paçin faqen më të zezë!”, ishin këto fjalët.
24 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)
Ky shkrim Rama ngushëllon familjen e efektivit: Ditë zie për të gjithë, dy të tjerët jashtë rrezikut u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.