Bode: Ky është buxheti më i ulët për investimet në këto 25 vite
Edmond Panariti – “Do të mbështeten financiarisht afërsisht 12 000 fermerë me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe rritje e standardeve të tregtimit në sektorin e peshkimit”
Edmond Haxhinasto – “Buxhetet për infrastrukturën nuk janë kurrë të mjaftueshme, por ne trashëguam rrugë e projekte rrugësh jashtë standardeve, siç është rasti i rrugës Lin-Pogradec, rrugës së Elbasanit apo rrugës së Kombit”
Genc Ruli – “Janë shumë të paktë shqiptarët, madje edhe ata në këtë sallë, që besojnë se është ky buxheti që do të ndezë motorët e ekonomisë, se është ky buxheti më i mirë i 20 viteve të fundit, siç po trumbetohet”
Kejdi Mehmetaj – “U thamë studentëve se do të kishin më shumë bursa këtë vit, ndërkohë që kemi po të njëjtin numër, për të mos thënë më pak. U premtuam pedagogëve që do t’i stimulonim duke rritur pagat, ndërkohë që nuk ka rritje pagash”
HERION MESI
Në një seancë maratonë, Kuvendi ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit të sotëm diskutimet lidhur me shqyrtimin në parim të projektbuxhetit të vitit 2016 dhe paketës fiskale që shoqëron atë. Kreu i qeverisë, Edi Rama, do të çelte punimet e djeshme plenare teksa për më shumë se dy orë ai prezantoi projektbuxhetin e vitit 2016 para deputetëve të Kuvendit. Në fokus të fjalës së tij, Rama vuri në radhë të parë shpjegimin para shqiptarëve se përse mbledhja e të ardhurave në tatime e dogana nuk u realizua në nivelet që ishte parashikuar. “Arsyet se përse nuk u realizua plani në dogana dhe tatime nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë”, tha Kryeministri Rama, duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja dhe nga vartësit e tij që në nisje të fjalimit në Kuvend. Ndërkohë, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se në këto administrata është vjedhur, shefi i mazhorancës radhiti nga foltorja e Kuvendit arsyet që ndikuan në mosrealizimin e të ardhurave, siç janë rënia e çmimit të karburantit në bursat ndërkombëtare, përgjysmimi i importit të energjisë elektrike, rënia e importit të cigareve dhe e fruta-perimeve. “Dy muajt e fundit i është shtuar edhe efekti i kursit të këmbimit të euros me lekun”, tha Rama. Por Kryeministri u kujdes të saktësojë se rënia u referohet vetëm parashikimeve të qeverisë, pasi në krahasim me vitet e tjera të qeverisjes së djathtë, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 330 milionë dollarë më të larta.
Debatet
Pas prezantimit të tij nga Kryeministri Edi Rama, diskutimet për projektbuxhetin 2016 do të vijonin me diskutime të një numri të madh deputetësh nga të dyja palët, ku nuk munguan gjithashtu edhe ndërhyrjet e herëpashershme edhe të ministrave të Financave, Shkëlqim Cani, dhe atij të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. E ndërsa për mazhorancën ky buxhet është buxheti i tkurrjes së borxheve, për opozitën drafti i sjellë në Kuvend është dëshmi e dështimit të qeverisë. Në përgjigje të prezantimit të bërë nga kreu i qeverisë, deputeti demokrat, Ridvan Bode, deklaroi se i gjithë fjalimi i Ramës nuk ishte gjë tjetër vetëm një apologji e dështimit të qeverisë që ai drejton, për mungesën e përkushtimit ndaj problemeve të vendit. “Në apologji vendin kryesor e zë metoda e tij e njohur, thelbi si të lyejmë me zi kundërshtarin për t’u dukur më të bardhë në pasqyrën që sheh veten e tij. Ky buxhet, për herë të parë, programohet në rënie jo vetëm në vlerë reale, por edhe nominale. Është 400 milionë dollarë më i ulët se një vit më parë”, tha Bode. Për ish-kreun e Financave, dështimin e qeverisë në mbledhjen e akcizave dhe TVSH-së për energjinë, e pranuan edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Vetëm këtë vit krijohet gropa 350 mln dollarë në buxhet, 20 mln dollarë më pak janë mbledhur nga akcizat në buxhetin e shtetit. Nuk është paguar TVSH-ja e HEC-e private që prodhojnë energji dhe çmimi i energjisë elektrike është rritur me 22 lekë. Bëhet apologji për të fshehur evazionin në dogana”, shtoi ai. Ndërsa bëri të ditur se në këto 25 vite është fondi më i ulët i parashikuar në investime. Menjëherë pas Bodes, fjalën e mori pasardhësi i tij në krye të financave, Shkëlqim Cani, i cili i kujtoi aritmetikën. Sipas Canit ose Bode nuk e njeh atë ose e ngatërron me kast. “Ish-ministri foli këtu për shifra që nuk i perceptoj dot. Nuk dua të besoj që ai s’di aritmetikë, por i ngatërron enkas”, tha Cani. Duke i kërkuar Bodes të korrigjojë mendjen, Cani tha se investimet janë 92 milionë lekë më të larta. “Të thuash që nuk përfitojnë 97 mijë familje të biznesit të vogël nga ulja e taksave kjo është një absurd”, u shpreh ministri i Financave, duke shtuar se me këto shifra të pavërteta, opozita kërkon të ngjallë panik te shqiptarët. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se kjo qeveri ndërtoi politika të kujdesshme fiskale, duke mbështetur 521 mijë familje shqiptare që përbëjnë 90% të popullsisë. Ahmetaj iu drejtua opozitës se do të mbahej mend që e mori borxhin publik në vitin 2005 në nivelin 55% e ua la shqiptarëve me 69.5%. “Ju u grabitët shqiptarëve miliona me taksën e sheshtë. Në vitin 2012 shënuat rekordin e varfërisë. Ndërsa ne do të mbahemi mend se me politika fiskale të kujdesshme përmirësuam jetën e 521 mijë familjeve shqiptare ose 90% të popullsisë”, deklaroi Ahmetaj. Kritikave ndaj projektbuxhetit do t’i bashkohej edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. “Në të gjitha buxhetet tona nuk i shmangemi dot dëlirit të vlerësimit historik. Njëherë është buxheti më i madh i të gjitha kohërave, njëherë rritja më e madhe ekonomike. Mjaft më. Le t’i lëmë referencat historike dhe t’u kushtojmë vëmendje atyre të realitetit. Jemi në një realitet ekonomik të zymtë. Le të jemi modestë dhe transparentë”, tha Dule.
Buxheti
Shifra dhe akuzat
Për shumë se 12 orë, mazhoranca dhe opozita debatuan mbi buxhetin e ri të vitit 2016. Edhe pse ishte njoftuar votimi i kodeve dhe projektligjeve të tjera të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash, që në fillim të seancës së djeshme e më pas do të niste diskutimi në parim për buxhetin, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kjo, për shkak se seanca e djeshme nisi me vonesë, pasi deputetët nuk ishin mbledhur, ku arsyeja kryesore ishte lodhja nga seanca maratonë e një dite më parë, e cila përfundoi në orën dy të mëngjesit të djeshëm. Madje dhe kur në seancë Kryeministri Rama nisi të mbrojë buxhetin, mungesat ishin të dukshme. Kodi i Punës, ai i Familjes dhe ai Penal, kërkojnë 84 vota pro për tu miratuar, ndërsa në sallë nuk ishin më shumë se 71 deputetë. Përpos kësaj, një numër jo i vogël deputetësh kanë shprehur rezervat e tyre kundrejt ashpërsimit të masave për evazionin fiskal në Kodin Penal çka vë në pikëpyetje votimin e ligjeve. Bëhet fjalë për ndryshimet ligjore në Kodin e Familjes, Kodin Penal, Kodin e Punës, si dhe Kodin Rrugor, të cilat pritet të miratohen sot, nëse mazhoranca do të arrijë të krijojë shumicën e cilësuar. Po ashtu, një pritshmëri të lartë ka dhe votimi për projektligjin e propozuar nga PD-ja për hetimin ndërkombëtar të aferës që ajo e cilëson si më të madhen korruptive në vend, atë CEZ-DIA.
Ky shkrim Qeveria shmang përgjegjësinë për mosrealizimin e të ardhurave u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.