Ministri: Do të mbështes çdo denoncim ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve
Pas marrjes së detyrës si ministër i Drejtësisë, Ylli Manjani ka kryer dje ballafaqimin e parë me Presidentin Bujar Nishani, njëherësh dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Takimi ka zgjatur rreth 60 minuta, e sipas burimeve, mësohet se në fokus kanë qenë reforma në drejtësi, si dhe çështjet e mprehta të gjyqësorit shqiptar. Pas daljes nga zyra e Presidentit, ministri Manjani ka deklaruar se do të jetë në krah të kujtdo që denoncon të korruptuarit. “Do të kërkoj çdo lloj inspektimi në rastin e gjyqtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në rastin e prokurorëve do të kërkoj dhe do të ushtroj inspektime për çdo rast, ku shqetësohet publiku. Çdo ankesë e publikut është detyra ime ta verifikoj”, tha ministri i Drejtësisë, Manjani. Ndërkaq, statistikat e njerëzve të drejtësisë të ndëshkuar për korrupsion po rriten shumë ngadalë, me pesë gjyqtarë e prokurorë të arrestuar brenda një viti, e 12 të tjerë ende nën hetim, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, shprehet se do të jetë në krah të kujtdo që denoncon të korruptuarit. Mësohet se takimi me kreun e shtetit ka qenë dhe për çështjen e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ndërsa në tavolinën e Presidentit qëndron dhe një kërkesë e ish-ministrit Naço për penalizmin e gjyqtarëve. Manjani theksoi se me numrin një të shtetit shqiptar kishte biseduar dhe për të koordinuar sa më mirë punët dhe detyrat kushtetuese. Marrëdhëniet ndërmjet ministrave të Drejtësisë dhe kreut të KLD-së kanë qenë shpeshherë të tensionuara dhe shkak për këtë janë bërë kërkesat për largime apo ndëshkime të gjyqtarëve. Jo të pakta kanë qenë rastet ku ministri i Drejtësisë është konfliktuar dhe ka debatuar dhe me anëtarët e KLD-së. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur pas këtij takimi, nëse do të ketë një mbledhje të shpejtë të KLD-së. Në lidhje me arrestimet e fundit në sistemin e drejtësisë, ministri u shpreh se do të mbështesë pa kufi luftën kundër korrupsionit. “Sa për çështjen e arrestimit, ju e dini që unë jam përkrahës i ashpër i goditjeve për çështje të korrupsionit, të shkeljes së detyrës, jo vetëm në organet gjyqësore, por gjithandej ku kryhen shërbime ligjore. Kështu që do të kenë mbështetjen time të pakufishme, prokurori, e gjithë trupa e prokurorëve dhe ajo gjyqësore, që distancohen dhe marrin masa antikorrupsion”, tha Manjani. Me marrjen e detyrës, ministri deklaroi menjëherë se do të ndërmarrë një reformë agresive në sistemin e drejtësisë dhe se nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga objektivi i tij. “Kam thënë që ditën e parë që do të jem vazhdues i punës së nisur. Unë nuk kam ndërmend të prish axhenda. Përkundrazi, detyra ime është të ndërtoj axhenda, t’i përmirësoj ato”, shtoi Manjani. Ndërsa i përket çështjes së progres-raportit të KE-së për Shqipërinë, disa ditë më parë, ministri u shpreh se do ta kërkojë të zbatojë rekomandimet e kërkuara nga ana e BE-së. “Plotësimi i të gjitha rekomandimeve të këtij raporti, do të bëjë të mundur për shtetin shqiptar, për shqiptarët në tërësi që të marrim ftesën për të çelur bisedimet për anëtarësim në pranverë. Është një axhendë konkrete, nuk ka nevojë për llafe, s’ka më deklarata boshe, sepse është koha e punës. Jemi të interesuar të gjithë së bashku për një reformë në drejtësi, të thellë, të qëndrueshme dhe që t’u sigurojë një shërbim cilësor ligjor të gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Manjani në konferencën e datës 17 nëntorit.
Ky shkrim Manjani takon Nishanin, në fokus reforma në drejtësi dhe KLD u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.