Deputetët, kritika për akcizën e birrës dhe taksën e makinave të luksit
Shkëlqim Cani – “Arsyeja kryesore është se pragu 200 mijë hektolitra është një prag i cili sipas të gjitha deklarimeve është një prag i trukuar”
“Rritet taksa për makinat luksoze dhe me këtë emërtim janë mjetet me cilindratë mbi 3 mijë kubikë”
Zamir Alushi
Pas kundërshtimeve të FMN-së, përjashtimi nga taksat i biznesit të vogël ka gjetur kundërshtarë edhe brenda mazhorancës. Paketa Fiskale 2016, e cila ndryshon 8 ligje në lidhje me taksimin, u prit dje me kritika të ashpra nga deputetët e opozitës, por edhe të LSI-së në Komisionin e Ekonomisë. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në prezantimin e paketës është kundërshtuar për rritjen e akcizës së birrës për prodhimin vendas, për vendosjen e taksës për makinat luksoze, si dhe për ndryshimin e pragut për biznesin e vogël. Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, ngriti dy probleme, së pari mungesën e vizionit në hartimin e paketës, duke mos pasur një vizion të qartë ekonomik dhe, së dyti, zerimi i taksës për biznesin me xhiro 0-5 milionë lekë do të krijojë evazion. “Unë nuk shoh asnjë ngacmim fiskal për sa i takon ndihmës së investimeve, sidomos atyre prodhuese në Shqipëri. Taksimi me zero i biznesit të vogël, sidomos për fashën nga 0-5 milionë lekë, them se do të na çojë në një situatë abuzive të bizneseve”, deklaroi Spahiu. Paketa fiskale e vitit 2016 nuk ka rritje taksash, deklaroi ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Ulja e taksave, tha Cani, vjen pas reformave të suksesshme, duke përmendur si më të rëndësishmen zerimin e taksës për biznesin e vogël me të ardhura deri në 5 milionë lekë në vit. Por, opozita tha se qeveria mashtron kur thotë se ka ulur taksat, pasi efekti financiar nga kjo politikë taksash për vitin 2016 llogaritet 26 milionë dollarë. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se politika fiskale e qeverisë për vitin 2016 ka qenë më e moderuar, pasi në 2014 dhe 2015 ka ndjekur një politikë më agresive rritjeje taksash, respektivisht 240 milionë dollarë dhe 160 milionë dollarë, ndërsa në 2016 planifikon vetëm 26 milionë dollarë. Sipas Bodes, kjo rritje taksash vjen për shkak të keqadministrimit të administratës. Ai akuzoi qeverinë se nën petkun e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe shlyerjes së borxheve ka rritur borxhin publik me mbi 1 milionë euro. Por, ministri Cani ritheksoi se kjo paketë fiskale nuk vjen me rritje taksash, por me ulje dhe kjo në sajë të administrimit dhe mirëqeverisjes në 2 vitet e mëparshme. Lidhur me rritjen e akcizës e birrës së prodhuar në vend që ka shkaktuar mjaft debat, Cani tha: “Arsyeja kryesore është se pragu 200 mijë hektolitra është një prag i cili sipas të gjitha deklarimeve është një prag i trukuar”. “Ne kemi ndërhyrë dhe kemi bërë një përafrim dhe e kemi lënë përsëri diferencën midis birrës së prodhuar ose importuar nën 200 mijë hektolitra në 400 lekë, kurse për ata mbi 200 mijë hektolitra e kemi bërë 600 lekë. Prapë diferencën e kemi lënë. Ata që prodhojnë mbi 200 mijë paguajnë 50% më shumë akcizë”, shpjegoi ministri Cani. Ndërkohë që për opozitën rritja e akcizës për birrën vjen vetëm si një mbështetje për klientët pranë qeverisë. Ministri Cani tha se rritet taksa për makinat luksoze, dhe me këtë emërtim janë makinat me cilindratë mbi 3 mijë kubikë. “Doli një listë e tërë makinash, fillonte me Juagarin, vazhdon me Maserati, Porch, Ferrari etj. Pse mos ta bëjmë një listë të makinave luksoze?”, ironizoi Spaho. “E keqja ishte te diskriminimi i markave dhe problemi i dyte ishte që ka marka që dalin jashtë këtyre që përmendët ju”, reagoi Cani. Ndërsa, deputeti Bushati tha se “Sot makinat e luksit dhe ato që kanë 300-500 kuaj fuqi janë 2000 kubikë”. Argumentet ishin që një mjet i tillë nuk quhet luksi, nëse është një prodhim i viteve të mëparshme, madje opozita ka ironizuar situatën, duke i kujtuar ministrit të Financave flotën e “Jaguarve”. Lidhur me mosmbajtjen e premtimit për uljen e TVSH-së për sektorin e turizmit, Cani u përgjigj se “Një buxhet, një paketë fiskale merr parasysh aq sa i ka këllqet, ne nuk e kemi harruar dhe në kohën e duhur do bëjmë veprimet e duhura”.
FMN
Reinke: Heqja e taksave cenon sistemin, nxit evazionin
FMN nuk është dakord me përjashtimin nga taksat të bizneseve të vogla. Jens Reinke, përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar në Tiranë tha për “Top Channel” se “vendimi krijon probleme për qëndrueshmërinë e sistemit tatimor dhe përbën një nxitje për deformim dhe shmangie taksash”. “Ne jemi në diskutime me qeverinë sesi të zbusim pasojat dhe shpresojmë se, rishikimi i marrëveshjes do të arrihet sipas afateve të parashikuara”, tha përfaqësuesi rezident i FMN-së. Por përveç evazionit, heqja e taksave dhe ulja e tyre për të gjitha bizneset e vogla krijon hapësira edhe për shmangie të ligjshme taksash. Një shembull do të ishte, që bizneset e mëdha ta copëtonin aktivitetin në disa biznese të vogla, për t’i shpëtuar taksimit; ose individët me pagat të larta t’i deklaronin të ardhurat e tyre jo si të ardhura nga paga, por si të ardhura biznesi, për të mos paguar taksa.
Ky shkrim LSI si FMN-ja, kundër zerimit të taksave për biznesin e vogël, u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.