Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748

Ushtria shqiptare, 38 milionë dollarë për blerje armatimesh

$
0
0

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe Kryeministri Edi Rama,Nis shqyrtimi në Kuvend i Planit Afatgjatë të FA-ve

Buxheti – Për vitin 2015, buxheti i parashikuar për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 12 miliardë e 654 milionë lekë të reja, ose 0,83 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto

Investimet – Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes shpenzon rreth 17 milionë dollarë për armatime, ndërsa parashikohet që në 2025-n kjo shumë të shkojë afro 38 milionë dollarë

Personeli i FA – Në Planin e saj afatgjatë, Ministria synon një ulje graduale të shpenzimeve të personelit, në mënyrë që pas vitit 2025 të arrijë në 35% të buxhetit të mbrojtjes nga rreth 48% që është aktualisht

Herion Mesi

Gjatë 10 viteve të ardhshme, qeveria shqiptare synon dyfishimin e investimeve të saj në armatime për Forcat e Armatosura shqiptare, ku nga rreth 17 milionë dollarë që shpenzon aktualisht, shuma që synohet për t’u vënë në dispozicion për armatime të reja do të jetë afro 38 milionë dollarë. Për këtë vit, buxheti i vënë në dispozicion për Ministrinë e Mbrojtje ka qenë 12 miliardë e 654 milionë lekë ose 0,83% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 14% e kësaj shume, janë shpenzuar nga Ministria për investimeve të bëra për armatime. Investimi i Ministrisë së Mbrojtjes sipas projektligjit “Për miratimin e planit afatgjatë të zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, që do të shqyrtohet sot nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe që pritet të miratohet të enjten nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikon që përgjatë periudhës 2016-2025 do të synohet që shpenzimet për investime dhe pajisje-armatim të kenë rritje të vijueshme, duke synuar arritjen e nivelit 30% të buxhetit të mbrojtjes, nga 14% që është aktualisht. Sipas parashikimeve të ekspertëve mbi buxhetin e mbrojtjes 2016-2025, përcaktohet se mbështetja me burime financiare e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025 do t’u referohet të dhënave makroekonomike të Ministrisë së Financave, me një tendencë rritjeje të zhvillimit të ekonomisë me ritme konstante. Mbajtja e një inflacioni të kontrolluar në nivel mesatar do të çojë në një rritje të buxhetit të mbrojtjes, duke ruajtur vlerat 1% të PBB për vitet 2016-2018. Bazuar në dokumentin e Strategjisë Ushtarake, ekspertët theksojnë se buxheti i mbrojtjes do të rritet gradualisht, duke arritur në 2% të PBB-së, në vitin 2025, me qëllim përshpejtimin e procesit të zhvillimit të forcës së ardhshme. Plani afatgjatë do të orientojë alokimin e burimeve në kategoritë kryesore të buxhetit: shpenzime personeli, shpenzime operacionale dhe mirëmbajtje, modernizim e infrastrukturë dhe kërkim-zhvillim. Nga ana tjetër për realizimin e këtij objektivi, hartuesit e planit për mbrojtjen, theksojnë se ndarja në këto kategori i është referuar disa modeleve të një numri vendesh anëtare të NATO-s, si dhe rekomandimeve të RSM, duke synuar  ulje graduale të shpenzimeve të personelit, në mënyrë që pas vitit 2025 të arrijë në 35% të buxhetit të mbrojtjes nga rreth 48% që është aktualisht. “Shpenzimet në zërin ‘operacione dhe mirëmbajtje’ do të tentojnë një ulje graduale duke synuar që pas vitit 2025 të arrijnë shifrat 35% nga 38.6% që është aktualisht. Në periudhën 2016-2025 do të synohet që shpenzimet për investime dhe pajisje-armatim të kenë rritje të vijueshme duke synuar arritjen e nivelit 30% të buxhetit të mbrojtjes, nga 14% që është aktualisht”,- thuhet në draftin e Ministrisë së Mbrojtjes. Alokimi i fondeve për punën kërkimore-shkencore planifikohet të fillojë rreth viteve 2018-2019, ndonëse në vite janë planifikuar, nuk ka pasur mbështetje financiare. “Këto shpenzime do të mbështeten me burime financiare pas vitit 2020”- thuhet në dokumentin strategjik.

Armatimet

Në planin afatgjatë të saj, Ministria e Mbrojtjes parashikon që brenda këtij dhjetëvjeçari, Shqipëria të blejë raketa tokë-det, investime këto që do të bëhen në kuadër të mbrojtjes ndaj një sulmi apo kërcënimi terrorist. “Kapacitetet që u nevojiten FA, realizimi i të cilave është i pamundur në afatin e 10 viteve të ardhshme. Këto kapacitete janë identifikuar gjatë vlerësimit dhe është analizuar fizibiliteti i tyre gjatë programimit, të tilla si sistemet dhe platformat e lëshimit të raketave me një rreze deri në 70 kilometra dhe sistemet e raketave tokë-det të nevojshme për shkatërrimin e objektivave detarë sipërfaqësorë etj. Zhvillimi i kapaciteteve të tilla mund të konsiderohet pas 2025 ose në rast se disa nga projektet në zhvillim do të kenë kosto konsiderueshëm më të ulët sesa buxheti i planifikuar fillimisht”, – thuhet në projektligj. Drafti i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, gjithashtu, parashikon që për shkak të pamundësive financiare, do të kërkohet ndihma e NATO-s. “Kapacitetet janë të nevojshme për mbrojtjen kombëtare, por janë shumë të kushtueshme për vendin tonë dhe mund të arrihen vetëm në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët. Në rastin e FA-ve, kapacitete të tilla janë, për shembull, mbrojtja raketore, avionët luftarakë, helikopterë sulmi e transporti strategjik etj.”, – thekson Ministria.

Burimet njerëzore

Në Planin Afatgjatë të Zhvillimit të FA-ve, rëndësi e veçantë i kushtohet zhvillimit të burimeve njerëzore. Sipas draftit, numri i personelit të FA do të jetë 8500 vetë dhe deri në vitin 2025 nuk parashikohet të ketë ndryshime. Personeli i FA do të zhvillohet sipas kategorive: Personeli oficer, sipas nevojave dhe planeve në përputhje me kërkesat e funksioneve organike, specialitetin, gradën dhe funksionin. Ky proces do të mbajë në konsideratë arsimimin, kualifikimin dhe trajnimin e oficerëve brenda dhe jashtë vendit; Personeli nënoficer, do të jetë produkt i përzgjedhjes së elementëve më të mirë të personelit ushtar/detar i cili do të vijojë kualifikimin dhe arsimimin e mëtejshëm të tyre në institucionet arsimore ushtarake brenda dhe jashtë; Personeli ushtar/detar, nëpërmjet një procesi të përshkallëzuar rekrutimi, stërvitjeje dhe trajnimi duke u fokusuar në plotësimin e strukturave prioritare; Personeli civil, nëpërmjet sistemit të rekrutimit, arsimimit dhe trajtimit duke mbajtur parasysh kualifikimet arsimore në përputhje me funksionet organike. Ndarja në këto kategori i është referuar disa modeleve të një numri vendesh anëtare të NATO-s, si dhe rekomandimeve të RSM, duke synuar një ulje graduale të shpenzimeve të personelit, në mënyrë që pas vitit 2025 të arrijë në 35% të buxhetit të mbrojtjes nga rreth 48% që është aktualisht.

Ky shkrim Ushtria shqiptare, 38 milionë dollarë për blerje armatimesh u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 12748


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>