Quantcast
Channel: Kryesoret – Gazeta SHQIP Online
Viewing all 12748 articles
Browse latest View live

Ermal Meta: Publiku shqiptar është krenar që jam biri i tyre

$
0
0
Ermal Meta gjatë koncertit të zhvilluar në Tiranë

Ermal Meta nuk lodhet kurrë. Mes këngëve ‘live’, albumeve, Sanremos dhe përkushtimit në jurinë e spektaklit “Amici” në Itali, është në kulmin e turit të tij të fundit muzikor.

Në një intervistë për mediat italiane, kantautori shqiptar i lindur në Fier, tregon se muzika është zbuluar nga ai në moshën 4-vjeçare. “Isha në studion e regjistrimit me mamanë time që luante në një orkestër. Më kishte vendosur përpara një pianoje. Ajo tastierë bardhezi më magjepsi”.

Në moshën 7-vjeçare, muzika për të ishte shndërruar një “fiksim”, por ishte edhe objektivi për të kryer edhe universitetin. “Studioja për gjuhë, ndalova në provimin e fundit, do ta jap kur të plakem…”, – thotë duke qeshur këngëtari.

I lindur në Shqipëri 37 vjet më parë, por i rritur në Puljia nga ku mbërriti me nënën e tij në moshën 13-vjeçare, Ermal Meta e cilëson si “të pabesueshme” pritjen e bërë në Shqipëri pak javë më parë, në një koncert të zhvilluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

“Ishin 100 mijë persona në shesh, – tregon Meta. – Duke kënduar këngët e para, më dilnin lot nga sytë. Por ky është një sukses i reflektimit, ekzistonte në sytë e tyre krenaria për ta ditur se unë isha biri i tyre…”.

Nga ana tjetër, Meta ka folur edhe për suksesin dhe famën e arritur në Itali, e cila kulmoi me triumfin e fundit në Sanremo. “Suksesi në Itali ka themele më të qëndrueshme. Këtu shoh në sytë e publikut pjesëmarrjen dhe kënaqësinë e diçkaje që kemi ndërtuar së bashku”, – shton ai.

21 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)


E frikshme, aborti selektiv vret 100 milionë femra çdo vit

$
0
0

Tradita zakonore shqiptare ka treguar se shoqëria jonë festonte sa herë që në jetë vinte një djalë. Dhe e kundërta ndodhte nëse ishte vajzë, ku dita dhe nata do të kalonin në heshtje njësoj sikur të kishtë ndodhur ndonjë hidhërim. Edhe pse kohët kanë ndryshuar, dëshira për të pasur djalë ka sjell një tjetër fenomen, atë të abortit selektiv.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi 100 milionë femra i humbasin botës çdo vit. Kjo vjen si dëshirë e prindërve për të patur djalë. Edhe pse në vendin tonë nuk ekzisotojnë statistika për abortet, përsëri ne nuk përjashtohemi nga ky fenomen.

“Mjafton të jetë një rast dhe normalishjt mund të quhet se ekzisotn. Përgjigja është që po, ekziston në termin teorik dhe atë praktik. Por për hir të së vërtetës ne nuk kemi shifra të sakta. Aborti selektiv është një problem mbarë botërorë sidomos në vendet lidore, siç janë Kina dhe India. Për hir të së vertetës aborti në Shqipëri lejohet, si abort në tërësi deri në 12 javë. Pra çdo grua në moshën prodhuese ka të drejtë që të kërkojë abortin pa dhënë asnjë lloj arsye deri në 12 javë. Por aborti selektiv gjinor është i ndaluar”, shprehet doktor Rustem Celami, Obstetëwr-gjinekolog.

Aborti selektiv jo gjithmonë vjen si kërkesë direkte, shumë nwna e fshehin atë duke shkatuar vetë abortin spontan.

21 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Projekti “1 miliard euro”, gjashtë rrugë të reja me koncesion

$
0
0

Kontratat e para të programit një miliardë euro kanë ngritur shqetësimin se ndërtimi i rrugëve me koncesion sjell kosto të larta për qytetarët. Por qeveria ka një tjetër vlerësim.

“Keni parasysh se të gjitha këto kontrata janë të matshme. Kjo do të thotë se çdo lloj volumi atje është i certifikuar dhe çmimet janë bazuar në referencat dhe manualet që ka qeveria shqiptare në fuqi”, deklaroi ministri Gjiknuri.

Deri tani qeveria ka miratuar koncesionet për dy vepra të mëdha, Rrugën e Arbrit me vlerë 240 milionë euro dhe autostradën Thumanë-Kashar. Ky segment ka një gjatësi vetëm 20.8 kilometër, por duke përfshirë mirëmbajtjen e rrugës për 13 vjet dhe interesat që do i paguhen privatit, fatura e Thumanë-Kashar mund të arrijë deri në 337.5 milionë euro. Në këtë pikë, pyetja që shtrohet është pse shteti nuk i ndërton vetë këto rrugë?

“Projektet madhore kanë shkuar gati dyfishi i kostove të parashikuara më përpara, ndaj nuk ia vlen të marrim këtë risk”, u shpreh ministri i transporteve.

Sipas Gjiknurit, partneriteti publik-privat i mundëson qeverisë të ndërtojë rrugët duke i paguar më këste, por njëkohësisht e mbron atë nga risqet.

“Riskun e merr totalisht privati. Ka një tavan të shpenzimeve të fiksuara dhe çdo risk i ngarkohet privatit, ndërsa vepra dorëzohet në kohë. Mekanizmat e sigurimit të kontratës që ne kemi bërë, janë shumë më të forta sesa në tenderimet publike. Kompanitë private do të sigurojnë financimin dhe do të garantojnë performancë të kontratës, me vlera financiare të bllokuara në bankë, që do të thotë se nga çdo lloj vonese, shteti nuk ka asnjë humbje”, u shpreh Gjiknuri.

Në total qeveria ka parashikuar të ndërtojë 6 rrugë të mëdha me koncesion, fatura e të cilave mund të arrijë mbi një miliardë euro.

21 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Rama për ZDF-në: Nuk jam diplomat i mirë! Kemi bërë progres për negociatat

$
0
0

Në një intervistë për emisionin Kultur/aspekte të televizionit publik gjerman ZDF, kryeministri Edi Rama thotë se “kur ne ishim në formën më të keqe, Europa ishte në formën e saj më të mirë. Tani që ne jemi në forme të mirë, nuk është Europa mire”.

Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me integrimin, Rama shton se “në mes të kësaj sinergjie, ne vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë. Ne kemi bërë shumë progres. Tani ne kemi edhe një afat për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Dhe ne na duket të përpiqemi dhe ta arrijmë. Dhe më pas të vazhdojmë e të vazhdojmë. Kjo është diçka që bëhet gjithnjë e më e madhe”.

Duke komentuar krizën aktuale të refugjatëve, shefi i qeverisë deklaron se Shqipëria nuk do të jetë asnjëherë pjesë e ndonjë plani ku refugjatët do të trajtohen si njerëz të infektuar.

Rama: “Nga ana tjetër, ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë. Nuk mendoj se Europa është vetëm për të ndarë përfitimet nga buxheti. Por, Europa është edhe për të ndarë përgjegjësitë. Ne nuk jemi në Bashkimin Europian, por duhet të jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë. As më shumë dhe as më pak”.

Intervista e plotë e kryeministrit Rama për ZDF, marrë nga ATA

Zyra e kryeministrit të Shqipërisë është njëkohësisht edhe atelie. Kryeministër, ju vizatoni edhe gjatë një konference ndërkombëtare. Përse?

Rama: Më ndihmon të përqendrohem. Më ndihmon të ul tensionin gjatë procesit të ndërveprimit dhe gjithashtu më ndihmon të komunikoj më zë më të ulët dhe kjo është një gjë e mirë. Ndodh ndonjëherë, për shkak se tensioni është i lartë, ndodh që njeriu kërkon mënyrë të tjera komunikimi. Pra, po, sigurisht më ndihmon të përqendrohem dhe të ul tensionin.

Dhe çfarë thonë bashkëbiseduesit tuaj?

Bashkëpunëtorët e mi e dinë dhe shqetësohen më shumë kur unë nuk jam duke vizatuar. Por, kur njerëzit vijnë të më takojnë ndonjëherë mund të jetë e vështirë. Po ju tregoj një rast. Erdhi dikush të më takojë. Ai u ul tamam aty ku po qëndroni edhe ju. Ai filloi të më tregojë diçka ndërsa unë po vizatoja. Ai më tha: Më falni, ose më dëgjo mua ose unë po iki dhe ju vazhdoni të vizatoni. Unë ju përgjigja: Në rregull. Dhe unë e lashë vizatimin. Pas një çasti ai më pyeti: A po më dëgjon? Dhe unë ju përgjigja: Jo, sepse në qoftë se nuk vizatoj nuk përqendrohem dot në bisedë të drejtpërdrejtë. Pra, me mua funksionin pak a shumë kështu.

Një nga aktet e para si kryetar i bashkisë së Tiranës ishte të ndryshojë fasadat e ndërtesave të hirta. Cila ishte arsyeja këtij projekti të madh urban?

Filloi si një nevojë. Kur u zgjodha me një shumicë të madhe, pritshmëritë ishin shumë të mëdha. Buxheti i qytetit ishte i papërfillshëm. Mua më duhej të filloja nga diku dhe me diçka. Dhe kështu më erdhi ideja ta filloja duke lyer ndërtesat për të hequr atë ngjyrë të hirtë shqetësuese që të shkurajonte. Dhe më pas vazhdoi efekti domino në shumë gjëra të tjera. Qyteti u bë shumë më miqësor dhe gjithashtu njerëzit filluan të ndjejnë qytetin që humbën gjatë tranzicionit të trazuar të viteve 90-të. Kështu, bukuria është një instrument kundër shumë sëmundjesh të shoqërisë dhe hapësirat e bukura publike krijojnë energji që më pas sjell kurajo dhe frymëzim për të investuar në dyqanin e vogël, për ta shndërruar në diçka më tërheqëse, për të investuar në diçka tjetër. Prandaj, unë besoj fort se bukuria mund të bëjë atë që nuk mund ta bëjnë mijëra policë edhe ndaj kriminalitetit apo sjelljes së keqe në vend publik. Aty ku ka shëmti, nuk ka shpresë. Aty ku ka bukuri, ka shpresë. Natyrisht, ka ende sfida.

Si e keni përjetuar ju në Ballkan krizën aktuale në Europë? Dhe sa mbështeteni në shpresat për të hyrë se shpejti në BE?

Ne jetojmë në një situatë që përsëri përkufizohet nga “mallkimi i Ballkanit”. Kur ne ishim në formën më të keqe, Europa ishte në formën e saj më të mirë. Tani që ne jemi në forme të mirë, nuk është Europa mirë. Pra, në mes të kësaj sinergjie, ne vazhdojmë të përpiqemi dhe të punojmë. Ne kemi bërë shumë progres. Tani ne kemi edhe një afat për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Dhe ne na duket të përpiqemi dhe ta arrijmë. Dhe më pas të vazhdojmë e të vazhdojmë. Kjo është diçka që bëhet gjithnjë e më e madhe.

Si po ecin punët me Europën?

Dua të jem i sinqertë me ju. Nuk jam diplomat i mirë. Së pari, mendoj se mund të bëhet më keq përpara se të bëhet më mirë. Është diçka e lidhur me faktin se Europa sot dominohet nga brezi i parë që nuk njohu luftën. Dhe duke mos njohur luftën, ata nuk e kuptojnë plotësisht thelbin e asaj çfarë është Bashkimi Europian. Më kujtohet gjithmonë Helmut Kohli kur foli për bashkimin monetar. Përpara se të jetë diçka që ka të bëjë me financën, është diçka që ka të bëjë me vëllain tim i cili humbi jetën në luftë. Ne e kemi më të lehtë. Ne mund të dukemi naivë në Ballkan sepse ne jemi shumë pro-europianë, por ne kemi parë luftën. Dhe lufta për ne nuk ishte diçka në television, por diçka e vërtetë. Te ne erdhën më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova të cilët po iknin nga lufta. Dhe nga ana tjetër, sinqerisht mendoj se në këtë periudhë Europa kishte fatin të kishte Angela Merkelin. Po të mos ishte ajo, nuk di kush mund ta shpëtonte nderin e Europës. Pra, ky është mendimi im.

Si do të veprojë qeveria juaj në krizën aktuale të refugjatëve?

Ne nuk do të jemi asnjëherë pjesë e ndonjë plani ku refugjtët do të trajtohen si njerëz të infektuar. Nga ana tjetër, ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë. Nuk mendoj se Europa është vetëm për të ndarë përfitimet nga buxheti. Por, Europa është edhe për të ndarë përgjegjësitë. Ne nuk jemi në Bashkimin Europian, por duhet të jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë. As më shumë dhe as më pak. Ky është nocioni ynë. Shqipëria është vendi ku njerëzit në rrezik gjithmonë gjejnë strehë. Ne jemi i vetmi vend në Europë ku hebrenjtë ishin më të shumtë në numër pas luftës se përpara luftës.

Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve në Shqipëri. Më vonë, kemi pasur më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Kosova. Ne jemi një vend i vogël për gjysmë milioni refugjatë, por ia dolëm më së miri. Në ditët e sotme ne kemi mirëpritur disa qindra refugjatë nga Irani, refugjatë politikë. Pra, ne jemi vend që ofrojmë strehë. Ne jemi gjithashtu një vend që përfiton nga mikpritja në Gjermani, në Itali dhe Greqi, në Europë dhe Amerikë. Pra, shqiptarët asnjëherë nuk i kanë konsideruar refugjatët si rrezik apo si diçka që duhet shmangur.

Nga emisioni Kultur/aspekte i televizionit gjerman ZDF😊

Nga emisioni Kultur/aspekte i televizionit gjerman ZDF😊

Gepostet von Edi Rama am Samstag, 21. Juli 2018

21 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Të sfidosh rrugën për të shkuar te Plazhi i Gjeneralit

$
0
0

Plazhi i Gjeneralit është një nga plazhet më të bukura dhe të pastra të Adriatikut, i vendosur midis dy kepave shkëmbore dhe i rrethuar nga shpate të buta e të gjelbra kodrinore.

Me ujera kristal në blu të thellë e me shkëmbinj nënujorë që ngrenë krye mbi to, plazhi është formuar nga veprimtaria akumuluese e valëve të detit, por për të mbërritur në këtë perlë të natyrës shqiptare duhet të përshkosh një rrugë të prishur që gjarpëron fshatrave të Kavajës drejt bregdetit.

“Vend i mirë. Ujë i pastër, por rrugë e keqe. Vijmë me sforco. Vijmë nga Tirana. Plazhi i Durrësit është i mbingarkuar, ndaj zgjodhëm Plazhin e Gjeneralit. Po të ketë infrastrukturën më të mirë, do të ketë më shumë njerëz. Është plazh shumë i mirë, por këtu në Shqipëri më duket se ca janë të nënës e ca të njerkës. Më duket se kjo bashki është e Partisë Demokratike dhe qeverisja qendrore e PS-së nuk bën investimin e rrugës. Rruga nuk ka qenë kështu. Kam 5 vjet që vij këtu, po kamionët që kalojnë për të ndërtuar portin e jahteve e kanë shkatërruar dhe e kanë lënë në mëshirë të fatit. I bëj thirrje që nëse kanë mundësi, ta rregullojnë rrugën”, thonë pushuesit.

Peizazhet dhe ushqimi i freskët e i shijshëm që të ofron ky plazh, bazuar te prodhimet e detit, të bëjnë të harrohesh. Relaksi është i garantuar, por për shumë pushues e veçanërisht turistët e huaj, Plazhi i Gjeneralit mbetet si molla e ndaluar.

“Plazhi i Gjeneralit është plazhi më atraktiv i Shqipërisë së Mesme, por që të jemi të sinqertë është rruga që na penalizon gjatë javës sidomos, por kemi turistët besnikë në çdo sezon. Është një vend që ia vlen të vizitohet. Është qetësi, është plazh familjar me një bukuri natyrore që Zoti e ka hedhur si me dorën e vet”, shprehet një operator turistik.

Bashkia e Kavajës ka premtuar riparimin e pjesshëm të rrugës, por është mesi i sezonit dhe ende asgjë nuk është bërë. Me një kapacitet akomodues prej 120 shtretërish, viletat e drurit dhe apartamentet e vogla presin turistët e huaj e vendas, që të shijojnë jo vetëm qetësinë, pastërtinë e ushqimin e mirë, por dhe peizazhet mahnitëse të zonës, që vendasit thonë se u shijuan së pari nga gjeneralët e huaj, që kaluan këtyre anëve në kohë të ndryshme.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Hamilton i “falet” shiut për fitoren, Vettel katastrofë në fund

$
0
0

Lewis Hamilton dhe Mercedes fituan garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Formula 1, zhvilluar në pistën e Hockenheim, duke bërë një paraqitje fantastike.

Piloti britanik e nisi garën nga vendi i 14-të, por ia doli që ta mbyllë i pari garën në një prej momenteve më të “nxehtë” të kampionatit ku gara me rivalin Vettel sa vjen e bëhet më e fortë.

Por përtej aftësive të tij dhe strategjisë së ndjekur nga ekipi i tij, pilotët e Mercedes u ndihmuan nga ato pak pika shiu që ranë gjatë garës.

25 xhiro nga fundit nis shiu edhe pse pjesërisht në pistë, duke bërë që disa nga pilotët të përdorin gomat e ndërmjetme ose gomat e shiut. Kjo e bën mjaft interesante fundin e garës, pasi pilotët e parë janë në harkun kohor të 20 sekondave, me Hamilton që ka gomat “ultrasoft”, ndërsa pilotët para tij gomat “soft”.

Pista e lagur në disa vende bën që pilotët shpesh të gabojnë në pistë, si Raikkonen, që humbet vendin e dytë, ndërkohë që në krye qëndron Vettel. Por ky i fundit nuk arriti të mbante nën kontroll makinën e tij duke dalë nga pista në një prej kthesave.

Në podium u ngjitën edhe Valtteri Bottas me makinën Mercedes dhe Kimi Raikkonen me Ferrari. Për Hamilton ky është suksesi i katërt në garën e Gjermanisë, duke parakaluar në renditjen e përgjithshme Vettel me 17 pikë.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ethet e agjentit nervor trembin Britaninë, një 3-vjeçar sulmohet me acid

$
0
0

Një djalë trevjeçar është plagosur rëndë nga një sulm i dyshuar me acid në një dyqan në Worcester të Britanisë së Madhe. BBC raporton se djali u sulmua me dashje në Home Bargains në orën 14:15 të së shtunës.

Lajmi është konfirmuar edhe nga efektivja e policisë Mercia West, teksa djaloshi po trajtohet në spital për djegie të rënda në krah dhe fytyrë.

Një 39-vjeçar nga Wolverhampton është arrestuar në lidhje me incidentin në Shrub Hill Retail Park, Tallow Hill. 39-vjeçari u arrestua për kryerjen e lëndimeve të rënda trupore dhe mbetet në paraburgim.

Ndërkohë policia publikoi ​​imazhe të marra nga kamerat ÇTV. “Të tre burrat në foto mund të kenë informacion vital për hetimin tonë”, tha Suput Travis.

“Unë jam i sigurt se dikush do t’i njohë ata dhe unë do t’i kërkoja kujtdo që për çdo informacion të na kontaktonin pasi është një çështje e ndejshme dhe urgjente. Incidenti ka shokuar me të drejtë komunitetin lokal dhe do të dëshiroja të siguroja njerëzit se ne po kryejmë një hetim tërësor për të identifikuar ata që janë përgjegjës”, shtoi zyrtari i policisë.

E teksa motivi për sulmin është ende “i paqartë”, zyrtarët thanë se po punojnë për të përcaktuar se çfarë është substanca që u përdor.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Worcester, Adrian Gregson, tha: “Kjo është hera e parë, për sa kohë që unë jam i vetëdijshëm që ka ndodhur një sulm i tillë në Worcester”.

Edhe deputeti i qytetit Robin Walker tha se sulmi ishte “i tmerrshëm”.

“Tronditja është universale. Çdokush që kryen një sulm të tillë ndaj një fëmije të vogël, është i neveritshëm. Është një çështje që me të drejtë ka pasur shumë shqetësim në Parlament dhe duhen ashpërsuar dënimet për çdo lloj sulmi acid. Por sidomos natyra e të qenit një fëmijë i vogël është vërtet shumë shqetësuese. Në këtë fazë, gjëja kryesore është që policia të veprojë shpejt dhe të shohë nëse ata mund ta gjurmojnë agresorin dhe ta kuptojnë atë çka fshihet prapa tij”, tha deputeti.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

I dënuar 10 vite për trafik droge, kapet “i forti” i Tiranës (EMRI)

$
0
0

Policia e kryeqytetit ka arrestuar një  38-vjeçar të dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim”.

“Nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim policor: Fredi (alias Alfred) Isaraj, 38 vjeç, banues në Tiranë”, njofton policia.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit Nr.2383, të datës 20.09.2017, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 10 vite burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)


Ngritja e kampeve të refugjatëve, Roth: S’është kusht për integrimin në BE

$
0
0

Ngritja e kampeve të refugjatëve në Shqipëri ka qenë një temë e nxehtë në muajin që lamë pas, për shkak se cilësohej edhe si një kusht i BE-së në këmbim të çeljes së dritës jeshile për negociatat e anëtarësimit.

Por i pyetur në Tiranës për këtë temë, ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth ka sqaruar qëndrimin e Bundestagut duke thënë se kjo çështje nuk ka lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE dhe nuk ka asnjë kusht të kësaj natyre.

“Nuk ka asnjë kusht që ne i kemi vendosur Shqipërisë për mbylljen e kufijve sa i përket emigrantëve apo për hapjen e kampeve të pritjes për emigrantët që vijnë nga Afrika e Veriut dhe Lindjes. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë të kësaj problematike me çështjen e integrimit. Ne jemi të interesuar të gjitha palët që të gjejmë zgjidhje të përbashkët për emigrantët”, tha Roth.

Edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi se kjo çështje është keqpërdorur nga axhenda të caktuara politike në Tiranë dhe se ndryshe nga çfarë pretendohet, Preidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk e ka përmendur si një prej sfidave që përballen shoqëritë në Ballkanin Perëndimor, por jo si kusht për integrimin e Shqipërisë bllokimin e kufijve.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Rreziku në plazhin e “vdekjes”, policia bashkiake në patrullim

$
0
0

Gjatë kësaj fundjave pati dyndje pushuesish në plazhin e Porton Novës. Edhe pse njihet si një nga plazhet më të rrezikshëm pasi disa persona janë mbytur në det vitin e shkuar, kjo nuk i ka sprapsur pushuesit e shumtë që ta frekuentojnë gjatë këtyre ditëve të nxehta.

Për të shmangur këto lloj fatkeqësish, duke parë dhe motin me erë të fuqishme dhe detin me dallgë, është ngritur një patrullë e policisë bashkiake të Vlorës për të sensibilizuar dhe njoftuar çdo plazhist për rrezikshmërinë, dhe për kujdesin që duhet të tregonin në det.

Shefi i policisë bashkiake të Vlorës Mejtim Meçe tregoi për Top Channel masat e marra për sigurinë e plazhistëve.

“Që në orët e para të mëngjesit morëm informacionin që këtu kishte një dyndje pushuesish. Dërguam një shërbim të policisë bashkiake për t’i sensibilizuar në fund të fundit, por edhe për t’i ndaluar. Tashmë siç e shikoni nuk janë më shumë se rreth njëzetë makina, ku në mëngjes ishin rreth 100 makina. Zona e Porto Novës ku jemi, nuk konsiderohet plazh, nuk hyn në zonat e konsideruara nga bashkia për plazh, detyrimisht këtu nuk mund të ketë roje,” u shpreh ai.

Shumë prej pushuesve nuk ishin në dijeni të rrezikshmërisë që paraqet zona detare në këtë plazh.

“Kemi parë tabelat, por nuk e kemi dëgjuar,” thotë një pushuese.

“Erdhëm njëherë dhe na pëlqeu. Ka qetësi dhe është uji i pastër,” shprehet një tjetër pushuese.

Gjatë kësaj të diele më shumë se 100 makina me pushues mbërritën në plazhin e Porto Novës. Krahas patrullimit me policë bashkiakë, në hyrje të plazhit është vendosur një tabelë që tërheq vëmendjen e personave për rrezikshmërinë në det.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ministri i Merkel mesazh politikës: Mos rrezikoni integrimin, BE do konsensus!

$
0
0

Në të parën vizitë në Shqipëri pas vendimit për vendosjen e qershorit 2019 si muaji kur do të çelen negociatat për vendin tonë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë i ka adresuar një mesazh të fortë klasës politike shqiptare, veçanërisht opozitës së vendit, që të mos krijohen pengesa ligjore apo të formave të tjera për perspektivën evropiane të vendit.

Duke qenë se është bllokuar në Kuvend ligji për magjistratë e rinj që kërkon shumicë të cilësuar, pra 84 vota, ministri Michael Roth u ndal tek kjo çështje edhe pse indirekt, duke theksuar se ecuria e reformës në drejtësi e kërkon plotësimin e vakancave që krijon vettingu.

“Nëse përmes një procesi të ndershëm dhe transparent do të arrijnë të pushohen gjykatës dhe prokurorë do të duhet që në një moment të mëvonshëm të kemi të rinj që të përmbushin këto vende vakante. Sepse pikërisht një sistem gjyqësor që nuk funksionon do të ndikonte në fusha të tjera mjaft të rëndësishme të jetës”, tha ministri gjerman.

Pikërisht këtu Roth gjeti nyjen lidhëse për të kërkuar konsensus politik në Shqipëri për çështje me rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare.

“Pikërisht ky proces kaq i vështirë kërkon një masë të madhe të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit nga qeveria, por të njëjtën masë edhe nga opozita. Ndaj unë do të dëshiroja t’i bëja apel të gjithë politikanëve të Shqipërisë që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Nevojitet një konsensus bazik sa i përket kushtetutës, zgjedhjeve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me rrugën e anëtarësimit në BE”, theksoi Roth.

Sipas tij muajt e ardhshëm deri në qershor do të jenë vendimtare, ndaj duhet pajtim që është plotësisht i mundshëm, “nëse të gjithë politikanët arrijnë të kryejnë detyrat gjatë këtyre muajve dhe të jenë në lartësinë e detyrës së tyre që t’i ofrojnë Shqipërisë mirëqenie sociale si në BE”.

Ndërkohë ministri i jashtëm, Ditmir Bushati në konferencën e përbashkët me homologun gjerman deklaroi se Shqipëria po vijnë të hedhë hapa të sigurt drejt integrimit të BE, por muajt e ardhshëm paraqesin sfida të mëdha

“Javën e kaluar komisoneri Hahn së bashku me qeverinë shqiptare hodhi hapin e parë në procesin e screening. Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka ky proces, në dukje duket teknik, pasi bëjmë përputhjen e linjave institucionale me ato të BE-së dhe ne e cilësojmë si proces jetik pasi rrezja e influencës së BE do të penetrojë në zemrën e mënyrës si operon administrata shqiptare.  Ndamë pikëpamjen se viti para për BE dhe ne është një vit me sfida dhe rruga nuk është e lehtë. Sa më shumë hedhim hapa drejet BE-së aq më sfidues bëhet procesi. Në duhet të vijojmë me konsolidimin e procesit të reformave, si lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Thellimi i vettingut dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë. Është shumë e rëndësishme që trajektorja jonë të jetë pozitive”, tha Bushati.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

 

Rëndohet bilanci në Gjirin e Lalëzit, deti i merr jetën një 18-vjeçari

$
0
0
Foto ilustruese

Bilanci i të mbyturve në plazhet e Shqipërisë në këtë sezon veror sa vjen e rëndohet. Teksa një 30-vjeçar ndërroi jetë në përpjekje për të shpëtuar të dashurën e tij në plazhin e Velipojës gjatë paradites, një tjetër tragjedi është shënuar në Gjirin e Lalëzit.

Një djalosh është shuar në lule të rinisë. Sipas policisë 18-vjeçari me iniciale F.A nga Tirana është mbytur në det dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit.

Nga raportimet në terren rezulton se adoleshenti ishte zhytur në thellësi dhe ka dalë me shumë vështirësi. Pavarësisht se i është dhënë ndihma e parë nga pushuesit e tjerë në breg ai nuk ka arritur të shpëtojë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Erdogan pret “kokën” e Ozil, turko-gjermani largohet nga kombëtarja

$
0
0

Me një Botëror për tu harruar në Rusi dhe i gjendur në qendër të kritikave në vendin e tij të lindjes për foton e bujshme me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, ylli i Gjermanisë dhe Arsenalit, Mesut Ozil ka vendosur të largohet nga kombëtarja.

Ai ka konfirmuar se nuk do të veshë më fanellën e Gjermanisë, duke u larguar kështu pas një trofeu si Kampion Bote me “Die Mannschaft” në Brazil 2014, ku edhe shkëlqeu në organizimin e lojës si motorri i atij ekipi.

Tërheqja e Mesut Ozil nga futbolli ndërkombëtar është derivat edhe i “trajtimit që mori nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB)”. Sulmuesi i Arsenalit thotë se mënyra se si është trajtuar e bën atë “të mos dëshiroj më të vesh fanellën e kombëtares gjermane”.

Ozil njoftoi vendimin në pjesën e tretë të një deklarate të gjatë të lëshuar në llogarinë e tij në Tëitter, me pjesën e parë që shpjegonte arsyet pse nuk e refuzoi fotografimin me Erdogan dhe postimin e dytë ku kritikonte mediat dhe sponsorët për reagimin ndaj incidentit në fjalë.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Vettingu në polici, PD e bojkoton: Është farsë, Xhafaj ka kontakte me krimin

$
0
0

Përmes një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, nënkryetari i PD, Edmond Spaho deklaron se opozita nuk do të dërgojë asnjë anëtar në nënkomisionin parlamentar për mbikëqyrjen e vettingut në polici, duke e cilësuar si një farsë.

“Problematikat e renda qe po kalon sot Policia e Shtetit nuk zgjidhen me vetting fasade ndaj punonjësve te thjeshte te Policisë, por me vetting ndaj drejtuesve politik te Ministrisë se Brendshme, qe jane autoret e kriminalizimit te segmenteve te caktuara te Policisë se Shtetit. Për këtë qellim, ne kohen e miratimit te ligjit kemi propozuar qe vettingu ne rradhet e Policisë se Shtetit te filloje nga drejtuesit politik, duke nisur me Ministrin e Brendshem. Kjo kerkese e jona nuk u pranua, duke provuar ne këtë mënyrë farsën e këtij procesi”, thuhet në letrën zyrtare që Spaho i dërgon në emër të PD, kreut të Kuvendit.

Për Grupin Parlamentar të PD, shkruan më tej Spaho, është e papranueshme që sipas ligjit një punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit, konsiderohet si i papërshtatshëm me detyrën për shkak se një kushëri i tij është i dënuar me parë, ndërkohë që drejtuesi politik, ministri i Brendshëm, konsiderohet i përshtatshëm dhe vijon detyrën.

“Edhe pse ka kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar, sepse me se paku ka patur dhe ka kontakte me vëllain e tij të dënuar dhe ne burg për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje ne organizate kriminale”, thuhet në letrën e PD.

22 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Rëndohet bilanci i sulmit në Toronto, 2 viktima e 12 të plagosur (VIDEO)

$
0
0

Dy të vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike, është bilanci i një sulmi nga një person i armatosur, i cili hapi zjarr në një rrugë me shumë lëvizje në qytetin më të madh të Kanadasë, Toronto.

Një nga viktimat ishte një grua e re, ndërsa personi i lënduar në mënyrë kritike në sulmin në lagjen Greektown të ​​Torontos është një vajzë 8 apo 9 vjeçe. I dyshuari për sulmin është një 29 vjeçar, që pati një shkëmbim zjarri me oficerët e policisë para se të gjendej i vdekur pranë vendngjarjes.

Motivi për sulmin është ende i paqartë dhe policia nuk e ka identifikuar të dyshuarin.

Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje dhe në një video që qarkullon në mediat kanadeze, shihet një burrë i bardhë që mban një kapele dhe veshje të errët, me një qese në sup. Ai shihet teksa ndalon në  një trotuar dhe nxjerr një pistoletë para se të qëllojë drejt turmës.

Andrew Mantzios kishte pirë kafe me miqtë kur dëgjoi të shtëna dhe u kthye për të parë të armatosurin që po vinte drejt grupit të shokëve të tij.
“Ai kishte shprehje të tmerrshme në fytyrën e tij”, ka thënë Mantzios për Toronto Globe.

Njeriu i armatosur ka gjuajtur drejt një turme njerëzish që prisnin të kalonin në rrugë, tha më tej ai.

“Pastaj një zonjë u përpoq të vraponte dhe ajo u rrëzua. Ai u kthye dhe gjuajti drejt saj dy ose tri herë”.

Kryeministri Justin Trudeau i dërgoi ngushëllimet e veta viktimave dhe qytetit me një postim në Twitter, ndërsa kryetari i bashkisë së Torontos, John Tory, dënoi sulmin “e neveritshëm” ndaj “njerëzve që po shijonin mbrëmjen e së dielës”.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)


E goditi rrufeja teksa kulloste bagëtitë, vdes i riu nga Lazarati (EMRI)

$
0
0

Përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë pasdites së sotme bëri që në Gjirokastër për rreth një orë të kishte reshje të dendura shiu të shoqëruara me vetëtima.

Moti i keq është bërë kështu shkak për vdekjen e një 22-vjeçari, pasi ai është goditur nga rrufeja gjatë kohës që po kulloste bagëtitë në Luginën e Drinos.

Mësohet se i riu është nga Lazarati dhe quhet Xhuliano Koçi. Ai ndërroi jetë sapo mbërriti në spitalin e Gjirokastrës.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Shqipëria përmbytet, Athina digjet nga zjarret (VIDEO)

$
0
0

Ndërkohë që reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në shumë qytete në vendin tonë, më shumë se 100 banesa dhe dhjetëra makina janë djegur si pasojë e zjarrit që përfshiu zonën periferike të Athinës, në vendin e quajtur Kineta.

Qindra forca zjarrfikëse u hodhën në luftë me flakët, por era e fortë dhe temperaturat e larta që janë në zonë, vështirësojnë punën e tyre.

Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forca të ushtrisë, ndërsa ende në rrezik ndodhet rafineria më e madhe e naftës në vend.

Policia deklaroi se ka shoqëruar një person të dyshuar si zjarrvënës, kurse autoritetet thonë dyshojnë se zjarr-vënia ishte qëllimshme prej përfituesve të tokës publike.

Pak para mbrëmjes të së hënës, edhe disa zjarre të tjera përfshinë zonën periferike në veri të kryeqytetit të vendit, Athinë. Për momentin ende nuk raport për viktima, ndërsa prefektura e Athinës njoftoi se do të dërgojë ekspertë për vlerësimin e dëmeve.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Infermierët e “Kristalit”, reagon Urdhri i Infermierit: Rreth 400 me probleme

$
0
0

Mimoza Moçka nuk është infermierja e vetme që nuk po rimerr një licencë nga Urdhëri i Infermierëve të Shqipërisë.

Ajo thjesht dha alarmin për një problem me përmasa shumëfish më të mëdha.

“Mund të jenë 300, mund të jenë 400, por që nuk humbasin vendin e tyre të punës. Nuk humbasin anëtarësinë, por humbasin nivelin: nga arsim i lartë, në arsim i mesëm”, shprehet Sabri Skënderi, President i Urdhrit të Infermierit.

Mimoza Moçka, infermiere me përvojë mbi 30-vjeçare, ka dorëzuar pranë Urdhërit të Infermierit dy diploma të marra nga universiteti privat “Kristal”. Njëra është lëshuar në 2008 dhe tjetra në 2010. Në mes qëndron viti 2009, kur infermieria tek universiteti “Kristal” u akreditua.

“Në 2015, Ministria e Arsimit tha se të gjitha diplomat e lëshuara nga institucione arsimore private para marrjes së akreditimit janë të pavlefshme”, shpjegon Skënderi.

Mimoza është licencuar dy herë me diplomën e “Kristalit” të vitit 2008. Licencimi për herë të tretë ka ngecur.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit deklaron: “Nuk na falet që të gabojmë për së dyti”.

Zgjidhjen këtij ngërçi pritet t’ia japë Ministria e Arsimit: “I jemi drejtuar me një shkresë. Ka kaluar afati me 4 ditë dhe asnjë përgjigje. Nëse nuk do të kemi asnjë përgjigje, jemi të detyruar që zonjës t’i lëshojmë një licencë me arsim të mesëm”.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit nuk lë pa përmendur ikjen masive të infermierëve nga Shqipëria: “Janë mbi 1000 infermierë të punësuar në Gjermani deri tani. Deri në fund të vitit, mund të shkojë shifra në 1500-2000”.

E gjithë kjo e ka një shpjegim: “Në Shqipëri janë 5000 infermierë pa punë dhe priten t’i shtohen edhe 2000 të tjerë të mbetur në provimin e fundit. Pra, gjithsej 7000 të papunë”.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Aplikimet në universitete. Zbulohen kriteret për Drejtësinë dhe Bujqësorin

$
0
0

Fakulteti i Drejtësisë mbetet ndër më të preferuarit për kandidatët e rinj për studentë, por për t’u regjistruar aty duhen plotësuar disa kushte, një prej të cilave është nota mesatare e gjimnazit, që vlerësohet me 50%. Një tjetër kusht është që në 5 lëndë të profilit shoqëror, ku përfshihen gjuha, letërsia, historia, qytetaria dhe gjuha e huaj, duhet që të paktën të kesh 10% të secilës nga pikët maksimale.

Pas Drejtësisë dhe Mjekësisë, në ditët më të mira të tij është edhe Universiteti Bujqësor. Pranimet e reja në këtë vit akademik mbështeten në disa kolona. Fatbardh Sallaku, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor shpjegon: “Duhet mesatare mbi 6 dhe pikët maksimale i marrin maturantët nga shkollat profesionale bujqësore”.

Bujqësia është një nga fokuset e ekonomisë shqiptare dhe si e tillë, maturantët e kanë kuptuar se duhet të zgjedhin degë që janë më pranë tregut të punës. Të dhënat e një viti më mirë, janë arsyeja pse Universiteti Bujqësor ka pritshmëri më të lartë për regjistrimet e këtij viti.

“Vjet kemi patur 18 mijë aplikime për 1550 kuota. Presim 20 mijë aplikime për 1800 kuota sivjet”, deklaron dekani.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Drogë në Athinë e Mikonos, goditet banda shqiptaro-greke me 6 anëtarë

$
0
0

Tre shqiptarë dhe tre grekë janë vënë në pranga nga policia helene në një aksion për goditjen e një grupi që trafikonte drogë në Athinë dhe ishullin e milionerëve, Mikonos.

Mediat greke shkruajnë se grupi shqiptaro-grek shiste kokainë dhe droga sintetike dhe hetimi për të arrestuarit kishte nisur prej disa kohësh.

Mësohet se tre shqiptarët e arrestuar janë të moshave 26, 28 dhe 33 vjeç. Ndërkohë tre grekët i përkasin moshave 28, 31 dhe 45 vjeç. Gjatë kontrollit në banesat dhe makinat e grupit të trafikantëve janë sekuestruar 4 kilogramë kokainë, 5 kilogramë metamfetaminë, 350 gram kanabis dhe 99 mijë e 495 euro.

Atyre ju janë gjetur edhe një pistoletë, njëzet e dy fishekë, dy makina, një motor, tre peshore dhe 16 telefona celularë.

23 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)

Viewing all 12748 articles
Browse latest View live


Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>